Europol zbardh detaje pas operacionit kundër call centerave në Shqipëri: U hetuan mbi 2 vite
Një rrjet kriminal që operonte një skemë mashtrimi online në shkallë të gjerë është goditur pas një hetimi të përbashkët mes autoriteteve austriake dhe shqiptare, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Operacioni, i cili zgjati mbi dy vite, çoi në arrestimin e 10 personave, kontrollin e disa ambienteve dhe sekuestrimin e afro 900 mijë eurove cash.
Rrjeti kriminal, që dyshohet se operonte disa call center-a në Tiranë, besohet të ketë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme, që arrijnë të paktën në 50 milionë euro. Këto call center-a ishin të organizuara në mënyrë profesionale, duke funksionuar si biznese të mirëstrukturuara me ndarje të qartë rolesh dhe hierarki menaxheriale.
Viktimat tërhiqeshin drejt platformave të rreme të investimeve online përmes reklamave mashtruese në rrjetet sociale apo kërkimeve në internet, duke u joshur nga premtimi për fitime të mëdha.
Pas regjistrimit fillestar, atyre u caktoheshin ‘agjentë mbajtjeje’ (retention agents), të cilët paraqiteshin si këshilltarë financiarë ose brokerë.
Këta agjentë menaxhonin llogaritë e viktimave për periudha të gjata, shpesh duke përdorur programe për akses në distancë për të marrë kontroll të plotë mbi pajisjet elektronike të tyre.
Mashtruesit shtireshin si profesionistë dhe përdornin presion psikologjik për t’i bindur viktimat të investonin më shumë para, duke pretenduar fitime të sigurta. Në realitet, fondet nuk investoheshin, por përdoreshin në një skemë ndërkombëtare pastrimi parash.
Operatorët ishin të organizuar në ekipe prej 6-8 personash, secili i specializuar në një gjuhë të caktuar për të targetuar tregje të ndryshme. Gjuhët përfshinin gjermanisht, anglisht, italisht, greqisht dhe spanjisht, duke shfrytëzuar besimin që krijon komunikimi në gjuhën amtare të viktimës.
Rrjeti përfshinte deri në 450 punonjës në departamente të ndryshme si marketingu (agjentë konvertimi), shërbimi ndaj klientit (agjentë mbajtjeje), menaxhimi, financa, IT dhe aktivitete mbështetëse. Çdo ekip drejtohej nga një përgjegjës, ndërsa një menaxher koordinonte gjithë operacionin e call center-it.
Punonjësit paguheshin rreth 800 euro në muaj, si dhe merrnin komisione për çdo kontratë të realizuar, pjesërisht në cash dhe pjesërisht përmes transfertave bankare.
Përmes kësaj skeme, viktimat transferuan shuma të mëdha parash, që vlerësohet të kalojnë 50 milionë euro. Autorët i rikontaktonin viktimat edhe pasi ato kishin humbur para, duke u ofruar ‘shërbime rikuperimi’ të fondeve. Për këtë, viktimave u kërkohej të hapnin llogari në platforma kriptovalutash dhe të depozitonin fillimisht 500 euro, duke u mashtruar sërish.
Hetimi nisi nga autoritetet austriake në qershor 2023, pas identifikimit të shumë viktimave në Vjenë. Në prill 2024, përmes Europol, autoritetet austriake kërkuan informacion nga pala shqiptare për një adresë IP të dyshuar, çka çoi në nisjen e hetimeve në Shqipëri.
Me mbështetjen e Eurojust, u krijua një ekip i përbashkët hetimor dhe më 17 prill 2026 u zhvillua një aksion i koordinuar.
Gjatë kontrolleve në tre call center-a dhe nëntë banesa u sekuestruan:
891,735 euro cash
443 kompjuterë
238 telefona celularë
6 laptopë
si dhe pajisje të tjera ruajtjeje të të dhënave
Viktimat e kësaj skeme janë identifikuar në shumë vende, përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Spanjën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Analiza e mëtejshme e të dhënave të sekuestruara pritet të zbardhë detaje të tjera mbi aktivitetin e rrjetit kriminal.