Goditi me grusht kundërshtarin, dënim shembullor për portierin e Zaragozës
Një incident i rëndë ka tronditur futbollin spanjoll, pasi portieri i Real Zaragozës, Esteban Andrada, është dënuar me 13 ndeshje pezullim për një akt dhune gjatë derbit ndaj Huesca-s.
Vendimi u mor nga Federata Spanjolle e Futbollit, e cila konfirmoi se ‘gardiani’ argjentinas goditi me grusht në fytyrë mbrojtësin Jorge Pulido gjatë sfidës së së dielës në kategorinë e dytë. Andrada fillimisht u ndëshkua me karton të kuq, përpara se të përshkallëzonte situatën me veprimin e tij të dhunshëm.
Komisioni disiplinor i dha portierit një dënim prej 12 ndeshjesh për goditjen, ndërsa kartoni i kuq solli automatikisht edhe një ndeshje shtesë pezullimi. Kjo do të thotë se 35-vjeçari do të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit, duke i dhënë një goditje të fortë objektivave të Zaragozës në luftën për mbijetesë.
Ngjarja ndodhi në minutat shtesë, kur Andrada shtyu fillimisht Pulidon dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Më pas, i irrituar, ai u kthye dhe e goditi kundërshtarin, duke shkaktuar një përleshje të përgjithshme në fushë.
“E vërteta është se më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Nuk është një imazh i mirë për klubin, për tifozët dhe sidomos për një profesionist si unë. Jam shumë i penduar”, deklaroi Andrada pas ndeshjes.
Përplasja solli edhe ndëshkime të tjera: portieri i Huesca-s, Dani Jimenez, u pezullua për katër ndeshje, ndërsa lojtari i Zaragozës, Dani Tasende, për dy ndeshje. Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Huesca-s.
Në një reagim zyrtar, Zaragoza dënoi ashpër episodin, duke theksuar: “Pamë skena që nuk i përkasin këtij sporti dhe që nuk duhet të ndodhin kurrë.”
Former Monterrey goalkeeper Esteban Andrada lost his mind and punched an opponent in the face after getting sent off.
— All Fútbol MX 🇲🇽 (@AllFutbolMX) April 26, 2026
This happened in the derby between Real Zaragoza and Huesca in LaLiga 2. 🤯🇪🇸🇦🇷 pic.twitter.com/VHZ7ZNDt7X