Henry mbetet pa fjalë nga PSG-Bayerni 5-4: Futboll i pastër, pa frikë dhe plot emocione!

Spektakli i dhuruar në “Parc des Princes” mes Paris Saint-Germain dhe Bayernit të Mynihut vazhdon të komentohet gjerësisht në arenën europiane. Fitorja 5-4 e parizienëve në një ndeshje me nëntë gola ka lënë mbresa të forta, ndërsa një nga zërat më të njohur të futbollit, Thierry Henry, e përshkroi sfidën si një përjetim të rrallë.

“Kohët e fundit thoshim se skuadrat nuk rrezikonin, lojtarët nuk driblonin dhe luhej për të mos humbur. Të dyja palët rrezikuan shumë. Nëse je tifoz i mbrojtjes, mund të çmendesh duke parë këtë ndeshje…, por mua nuk më intereson”, deklaroi Henry.

“Prej vitesh ankohemi se futbolli është i mërzitshëm, por kjo ndeshje nuk ishte e tillë. Duke lënë mënjanë profesionalizmin, u argëtova shumë dhe besoj se edhe të gjithë të tjerët në shtëpi. Ishte çmenduri”, shtoi më tej legjenda franceze.

Ai u ndal edhe te filozofia e trajnerëve, duke theksuar se ata nuk kanë ndër mend të ndryshojnë stilin e tyre të lojës: “Nuk ka rëndësi çfarë mendoj unë, sepse këta nuk do të ndryshojnë. Kështu duan të luajnë dhe duhet respektuar. Vincent Kompany e ka thënë, nuk do të ndryshojë. Dhe e dimë që as Luis Enrique nuk ndryshon”.

Gjatë sfidës, PSG krijoi një avantazh të thellë 5-2, por Bayerni reagoi në minutat e fundit duke e ngushtuar rezultatin në 5-4. Një përballje plot ritëm, emocione dhe gola, që tashmë konsiderohet si një nga më spektakolaret në futbollin europian në vitet e fundit.