Hetim për ndeshjen Inter-Roma, Prokuroria kërkon pamjet dhe audio për penalltinë e mohuar ndaj Bisseck
Një tjetër ndeshje e Serisë A ka përfunduar në qendër të një hetimi të rëndësishëm. Bëhet fjalë për sfidën mes Interit dhe Romës, një duel kyç i sezonit 2024/2025, i cili në fund u fitua nga Napoli. Prokuroria e Milanos ka vendosur të hetojë episodin e diskutueshëm të një penalltie të paakorduar ndaj mbrojtësit Yann Aurel Bisseck.
Në qendër të polemikave është kontakti mes Evan Ndicka dhe mbrojtësit zikaltër, një episod për të cilin sistemi VAR nuk ndërhyri, pavarësisht një “silent check”. Në fushë gjyqtar ishte Michael Fabbri.
Sipas raportimeve, dyshimet janë shtuar edhe për mënyrën se si është menaxhuar komunikimi në dhomën e VAR-it. Thuhet se asistenti Marco Piccinini kishte shprehur pasiguri për episodin, duke e sinjalizuar atë te Marco Di Bello. Megjithatë, ndërhyrja e supervizorit Andrea Gervasoni duket se ka ndikuar në zhvillimin e situatës.
Sipas dëshmive të mbledhura, Di Bello i është drejtuar Piccinin-it me fjalët “merru me punët e tua”, një detaj që nuk është dëgjuar në audiot e publikuara më vonë në programin Open VAR. Kjo mospërputhje ka ngritur dyshime serioze dhe ka shtyrë organet hetimore të veprojnë.
Prokuroria e Milanos pritet të kërkojë së shpejti materialet origjinale audio dhe video të atyre minutave për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Nuk përjashtohet që edhe Gervasoni të merret në pyetje për rolin e tij në këtë çështje, ndërsa hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi një nga episodet më të diskutuara të sezonit.