Dy persona hebrenj plagosen me thikë në veri të Londrës, arrestohet një i dyshuar

Dy persona janë plagosur në një sulm me thikë në veri të Londrës, në një zonë me popullsi të konsiderueshme hebreje. Sipas raportimeve të mediave britanike, një i dyshuar është arrestuar nga policia pas incidentit.

Organizata e sigurisë komunitare hebreje, Shomrim, bëri të ditur se një burrë u pa duke lëvizur me thikë në zonën e Golders Green dhe dyshohet se tentoi të sulmonte kalimtarë hebrenj. Sipas tyre, forcat e sigurisë së komunitetit ndërhynë fillimisht, ndërsa më pas policia e neutralizoi dhe arrestoi të dyshuarin, duke përdorur edhe armë elektrike (taser).

Mediat raportojnë se dy burrat e plagosur kanë pësuar lëndime të rënda dhe po marrin trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tyre nuk është bërë ende e ditur.

Policia britanike konfirmoi arrestimin e një burri 45-vjeçar, por nuk dha detaje mbi motivin e sulmit. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet po drejtohen nga njësia kundër terrorizmit, për të sqaruar rrethanat dhe çdo lidhje të mundshme me aktivitet terrorist.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, e cilësoi incidentin si “thellësisht shqetësues”, duke theksuar se duhet bërë gjithçka për të mbështetur hetimet dhe për të luftuar akte të tilla dhune.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të rritura, pas një sërë incidentesh antisemitike në Londër. Muajin e kaluar, autoritetet arrestuan më shumë se 20 persona në lidhje me sulme ndaj institucioneve hebraike, përfshirë edhe zjarrvënie ndaj automjeteve të shërbimit vullnetar të ambulancës hebraike në Golders Green.

Ndërkohë, policia po heton edhe një rast të fundit të dyshuar për zjarrvënie ndaj një muri përkujtimor në të njëjtën zonë, megjithëse deri tani nuk është konfirmuar si akt terrorist dhe nuk janë kryer arrestime.