Kryeministri suedez: SHBA-së i mungon një strategji koherente në konfliktin me Iranin!

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson tha se Shtetet e Bashkuara duket se nuk kanë një strategji koherente në luftën e tyre me Iranin, duke iu bashkuar kritikave në rritje nga liderët evropianë.

Duke folur për Radion e Suedisë, Kristersson tha se mbetet e paqartë se si Washingtoni synon të arrijë objektivin e deklaruar për të parandaluar Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

“Për momentin, e kam të vështirë të shoh ndonjë strategji koherente pas kësaj”, tha Kristersson duke vënë në pikëpyetje drejtimin e qasjes amerikane. Komentet e tij erdhën ndërsa edhe liderë të tjerë evropianë kanë shprehur shqetësim për drejtimin e konfliktit.

Të hënën, kancelari gjerman, Friedrich Merz kritikoi SHBA-në për mungesë të një “strategjie daljeje” në luftën me Iranin, duke thënë se Washingtoni është “poshtëruar” nga Teherani.

Më herët, presidenti francez, Emmanuel Macron bëri thirrje për një qasje më serioze dhe më të qëndrueshme. “Kjo nuk është shfaqje. Po flasim për luftë dhe paqe dhe për jetën e burrave dhe grave”, tha Macron duke shtuar: “Dhe ndoshta nuk duhet të flisni çdo ditë. Duhet thjesht të lejoni që gjërat të qetësohen”.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur Teheranin të përgjigjej me sulme ndaj asaj që i përshkroi si interesa amerikane në rajon, shumë prej tyre në vendet e Gjirit. Një armëpushim u shpall më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, pasuar nga bisedime të mbajtura në Islamabad më 11-12 prill, por negociatat përfunduan pa marrëveshje.

Presidenti amerikan, Donald Trump më vonë tha se armëpushimi është zgjatur me kërkesë të Pakistanit, në pritje të një propozimi nga Teherani. Ai sinjalizoi të hënën se nuk kishte gjasa të pranonte propozimin e fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës, pasi Teherani propozoi një plan për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke lënë çështjet për programin e tij bërthamor për negociata të mëvonshme./ AA.