Britania dëbon diplomatin rus në përgjigje të veprimit të Moskës
Në një veprim reciprok, Britania do të dëbojë një diplomat rus, pasi një diplomat britanik u dëbua muajin e kaluar për akuza të pretenduara për spiunazh, njoftoi sot qeveria britanike.
Ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar u thirr në Ministrinë e Jashtme pas dëbimit të muajit të kaluar nga Moska, të cilin Londra e cilësoi si “të pajustifikuar” dhe tani qeveria britanike ka tërhequr akreditimin e një diplomati rus, që do të thotë se ai do të dëbohet nga vendi, thuhet në një deklaratë zyrtare për këtë veprim “reciprok”.
“Ne e dënojmë fuqishëm vendimin e pajustifikuar të Rusisë muajin e kaluar për të dëbuar një tjetër diplomat britanik dhe fushatën dashakeqe publike të shpifjeve që pasoi. Kjo sjellje është plotësisht e papranueshme dhe ne nuk do të tolerojmë ngacmime apo frikësim ndaj stafit tonë diplomatik”, thuhet në deklaratë.
“Prandaj kemi thirrur ambasadorin rus për të njoftuar se po ndërmarrim veprim reciprok, duke tërhequr akreditimin e një diplomati rus”, shtohet më tej.
“Veprimet e përsëritura, të paprovokuara dhe të pajustifikuara të Rusisë synojnë të pengojnë punën tonë diplomatike dhe janë pjesë e një fushate më të gjerë sjelljeje agresive ndaj Mbretërisë së Bashkuar. Çdo veprim i mëtejshëm nga Rusia do të trajtohet si përshkallëzim dhe do të marrë përgjigje të vendosur dhe proporcionale”, thuhet gjithashtu në deklaratë./ AA.