Chivu: Ka ikur koha kur titulli fitohej me mbrojtjen më të mirë
Interi është shumë pranë shpalljes kampion në Serie A dhe merita kryesore i atribuohet filozofisë moderne të trajnerit Cristian Chivu.
Tekniku rumun ka rrëzuar një nga parimet më të vjetra të futbollit italian: se titulli fitohet me mbrojtjen më të mirë.
“Kanë ikur ato ditë”, deklaroi Chivu, duke theksuar se futbolli i sotëm kërkon guxim dhe efektivitet në sulm më shumë sesa siguri ekstreme në prapavijë.
Dhe shifrat e Interit këtë sezon e mbështesin plotësisht këtë ide.
Zikaltrit kanë realizuar plot 80 gola në 34 ndeshje, me një mesatare mbi 2.3 gola për sfidë, ndërsa kanë pësuar 31.
Edhe pse nuk kanë mbrojtjen më të fortë në kampionat, diferenca e golave prej +49 është dominim i pastër ndaj rivalëve.
Skuadrat ndjekëse si Napoli dhe Milan mbeten shumë pas në këtë aspekt, me diferenca respektivisht +21 dhe +19, duke treguar hendekun e madh që Interi ka krijuar këtë sezon.
Madje edhe Como, që është ndër më të afërtat në renditjen e golavarazhit, qëndron larg me +31.
Kjo vetëm sa përforcon dominimin ofensiv të skuadrës së Chivut.
Tashmë, me një fitore ndaj Parma të dielën, Interi mund të sigurojë matematikisht titullin e 21-të në histori.
Një sukses që nuk vjen nga mbrojtja hermetike, por nga një sulm i frikshëm dhe një filozofi që sfidon traditën.