Ndërtimi - Tirana me çmime si Milano, eksperti: Nuk është treg real, por ‘parkim’ i parave të krimit

Tirana është kthyer në një nga kryeqytetet më të shtrenjta në Europë për të blerë një apartament, duke rivalizuar edhe metropole si Milano. Për një familje mesatare në kryeqytetin shqiptar, blerja e një banese kërkon plot 17.6 vite punë, një shifër tronditëse që nxjerr në pah hendekun e thellë mes çmimeve stratosferike dhe fuqisë së ulët blerëse të qytetarëve.

I ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi urbanisti Gent Kaprata argumenton se tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë nuk pasqyron një kërkesë reale, por shërben si një mekanizëm për “parkimin” e parave me origjinë të dyshimtë. Sipas tij, kjo situatë ka qenë e parashikuar prej vitesh dhe lidhet drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kaprata shpjegon se bumi i ndërtimit ushqehet nga paratë e pista që vijnë si nga sektori publik, përmes korrupsionit, ashtu edhe nga krimi në sektorin privat. Ai e quan këtë proces “parkim” dhe jo pastrim të parave, pasi apartamentet mbeten asete lehtësisht të gjurmueshme. "Paratë janë aty dhe apartamentet duken," shprehet ai, duke theksuar se nëse do të funksiononte një sistem i vërtetë drejtësie, pronarët e dhjetëra apartamenteve nuk do të mund të justifikonin pasurinë e tyre. Ai shton se planet zyrtare që parashikojnë një Tiranë me 1.6 milionë banorë janë të fryra, pasi popullsia reale i afrohet shifrës 600,000, dhe diferenca justifikon ndërtimet masive për qëllime të paligjshme.

Ky treg artificial i bën banesat praktikisht të papërballueshme për shumicën dërrmuese të popullsisë. Kaprata është i prerë në analizën e tij: “Nuk ka asnjë shqiptar sot, duke hequr 2 deri në 5% të popullsisë, që ka mundësi të blejë një apartament në tregun e lirë. 95% e popullsisë e ka të pamundur.” Ai zbulon se çmimet fryhen artificialisht përmes një skeme ku apartamentet kalojnë "duar më duar" brenda rrjeteve kriminale që në fazën e ndërtimit, duke rritur vlerën e tyre në letër pa pasur një blerës real fundor. Kjo situatë rrezikon që një pjesë e madhe e ndërtimeve të reja të mbeten të pashfrytëzuara, pavarësisht se mund të figurojnë si të shitura.

Arnold Kariqi: Do të ndalemi tek çmimet e apartamenteve në Tiranë, ku duket se ja kemi kaluar edhe Italisë, edhe Milanos. Për të blerë një apartament mesatar në Tiranë, qytetarëve u duhen 17.6 vite punë. Për të diskutuar në lidhje me këtë, unë kam urbanistin Gent Kaprata. Me sa duket mbajmë rekord edhe për pastrimin e parave në nivelin më të lartë në 10 vitet e fundit sipas organizatave ndërkombëtare, por edhe Bankës Botërore. Ndërkohë që rikthehemi dhe tek apartamentet, ku duket se shqiptarët po përballen me çmime stratosferike, ja kalojnë edhe Italisë. Pikë së pari, çfarë po ndodh? Përse apartamentet në Shqipëri kanë shkuar në nivelin e Milanos, ndërkohë që dihet se sa të ulëta janë të ardhurat për frymë të qytetarëve?

Gent Kaprata: Pse kemi këtë fenomen? Kjo është ajo që ne e kemi parashikuar, e kemi parashikuar prej shumë vitesh, nuk është se e trajtojmë sot për herë të parë. Tirana ndryshe nga çfarë na thotë plani i përgjithshëm rregullues i miratuar ose plani i përgjithshëm i territorit vendor i miratuar në vitin 2016, nuk është 1.600.000 banorë, por është vetëm ose i afrohet shifrës 600.000 banorë. Çfarë do të thotë kjo shifër për ndjekësit tuaj. Do të thotë që diferenca prej 1 milion është pastrimi i parave të krimit, qoftë atij të sektorit publik, pra qeverisë dhe institucioneve të saj, të cilët, anëtarët e të cilëve bëjnë para të pista në rrugë që tashmë janë shumë të qarta, nëpërmjet tenderave, gjithë elementëve të tjera që ata bëjnë para të pista, pra para korruptive, të cilat i investojnë fatkeqësisht në sektorin e ndërtimit. Pse do ta, trajtojmë pak më poshtë për të vazhduar. Por edhe krimi i sektorit privat, i cili duhet pranuar që për shkak të kësaj tipologjie qeverisëse, është fuqizuar shumë, dhe lëviz kapitale të jashtëzakonshme, të cilat në fund të ditës janë kapitale të zeza ose le të themi dhe gri. Por gjithsesi, jo kapitale të cilat mund të futen ose të qarkullojnë në ekonominë reale, në ekonominë e matshme të institucioneve. Do të thotë që para të cilat nuk futen dot në bankë, por diku duhen çuar. Dhe mafia shqiptare, ku unë i fus të dyja këto sektorë, si sektori publik, qeveria dhe njerëzit e saj, por edhe krimi i sektorit privat, janë injorantë dhe nuk e kuptojnë që mund të gjenden rrugë të tjera përveçse ndërtimit masiv për t'i pastruar ato para. Në fakt, edhe ky është rasti të përfitojë nga emisioni juaj dhe televizioni juaj për t'i thënë këtyre njerëzve që në fakt nuk është se janë duke i pastruar këto para, janë thjesht ashtu siç e tha ajo zonjusha ose zonja tek inserti që ju futët, janë parkim i parave të krimit. Pse parkim dhe jo pastrim? Sepse paratë janë aty dhe apartamentet duken. Pastrimi i parave ka tjetër synim, ose ka tjetër proces, i cili, në të cilin futet paraja e pistë dhe del e pastër. Këtu nuk ndodh kjo. Këtu kemi apartamente të cilat nëse do kemi një gjykatë, një sistem drejtësie, po i bie shkurt, një sistem drejtësie që funksionon, është e kuptueshme që zoti Kaprata ka pasur të ardhura në 30 vite punë, le të themi 1 milion euro dhe s'mund të ketë 88 apartamente me këto si të thuash çmime. Pra është lehtësisht e dallueshme nëse një pushteti i do drejtësisë, do t funksionojë.

Arnold Kariqi: Pse qëndron ky niveli kur kur blerjet me ç'shihet nuk është se ka aq shumë, nuk ka se, nuk është se shqiptarët janë dyndur për të blerë apartamente. Pra përveç lekut të pisët, a mund ta mbajë ai tregun në këto nivele?

Gent Kaprata: Absolutisht jo. Ne këtë e kemi thënë prej kohësh, ju thashë, domethënë çmimi rritet sepse e para njëherë mafia e kalon një apartament duar më duar, nuk është se e blen njëri që në fillim, një grup apartamentesh, një kat ose gjysëm godine dhe ngec. Jo. Procesi nis që në gropë i quajmë ne, ose në momentin ku hidhen themelet e pallatit, e ndërtesës, të cilat i blen dikush, një sasi të konsiderueshme, 20, 50, 70 apartamente dhe me kalimin e kohës, ndërsa ato ndërtohen, kalojnë në duar të tjera dhe kjo e rrit, është një mënyrë për ta rritur artificialisht çmimin. Juve më pyetët direkt dhe unë po ju kthej përgjigje direkt. Nuk ka asnjë shqiptar sot, duke hequr vetëm dy, le të themi 5% të popullsisë, që ka mundësi të të realizojë blerjen e një apartamenti në tregun e lirë. Duke hequr 2 deri në 5% të popullsisë, pjesa tjetër, le të themi 95% e popullsisë, e ka të pamundur. Shtresa e mesme e lartë, ku unë hyj, biles edhe e shtresa e ulët e pasur, nuk ka asnjë mundësi ta blejë një apartament me 2-3 mijë metër euro metër katror...