Tortura e pensionistëve/ Radhë pafund në diell për një abone! Bashkia, propagandë me ujë
Pensionistët vijojnë të presin me orë të tëra në radhë për të marrë një abone autobusi. Ata e cilësojnë torturë këtë mënyrë të shpërndarjes së aboneve, teksa kërkojnë zgjidhje pasi mosha e thyer dhe problemet shëndetësore nuk i mundësojnë qëndrimin në këmbë me orë të gjata, por janë të detyruar për shkak të pamundësisë financiare për të përballur kostot e transportit.
SYRI TV
Çdo fund muaji dhe fillim muaji të ri, vijon tortura e pensionistëve për tërheqjen e aboneve falas. Që në orët e para të mëngjesit, parvarësisht temperurave që janë rritur, të moshuarit kanë qëndruar në këmbë me orë të gjata për të marrë abonenë e autobusit në kioskat ku shpërndahen.
Kjo situatë po u kthehet në një torturë të përmuajshme, teksa pohojnë se kushtet e shpërndarjes së aboneve, pa asnjë organizim dhe pa infrastrukturën e nevojshme nuk janë aspak të përshtatshme, pasi mosha e thyer dhe problemet shëndetësore nuk i mundësojnë të qëndrojnë në këmbë me orë të gjata në pritje të marrjes së abonesë.
Një pjesë e të moshuarve zgjedhin të largohen pa marrë abonenë, me shpresën se në ditën pasardhëse do të gjejnë më pak radhë. Por kjo problematikë sipas tyre përsëritet çdo muaj, ndaj japin disa sygjerime që sipas tyre do ta lehtësonin sadopak situatën.
Por përballë kësaj tabloje të trishtë, bashkia zgjedh të bëjë propagandë duke u shpërndarë ujë të moshuarve, në vend që të marrë masa për të shtuar sportele apo t’u krijojë një hapësirë ku të presin radhën në kushte të përshtatshme.