VIDEO/ Ekzekutimi i çiftit Mujeci/ Gjendet ‘Audi A4’ në një kanal, vëzhgoi viktimat deri në vrasje
Policia e Lezhës vijon hetimet për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ndërsa në terren janë shtrirë kontrolle të gjera për sigurimin e provave dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe informacioneve të siguruara, uniformat blu bëjnë të ditur se kanë gjetur në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore pranë një kanali, një automjet tip “Audi A4”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje. Sipas burimeve, mjeti dyshohet të ketë shërbyer për vëzhgimin e lëvizjeve të viktimave nga bashkautorët.
Gjatë këqyrjes së automjetit, brenda tij janë gjetur dokumentacione që u përkasin personave të shpallur në kërkim, duke forcuar dyshimet për përfshirjen e tij në atentat.
Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike për të zbuluar gjurmë të mundshme që lidhen me autorët.
Ndërkohë, policia vijon kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.