'Falënderoj Balliun për solidaritetin...'/ Meta: Shqiptarët meritojnë llogaridhënie për çështjen time
Ilir Meta ka reaguar pas takimit me deputetin demokrat Klevis Balliu në ambientet e IEVP “Jordan Misja” (313), duke e falënderuar për inspektimin e kushteve në institucion.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta vlerësoi angazhimin e Balliut për evidentimin e problematikave të të paraburgosurve dhe mbështeti nismën e tij për krijimin e një biblioteke në burg, ku tha se do të kontribuojë personalisht.
Meta falënderoi gjithashtu Balliun për solidaritetin dhe mbështetjen publike, ndërsa kërkoi transparencë të plotë për procesin ndaj tij, duke theksuar se qytetarët meritojnë informim dhe llogaridhënie. Ai kërkoi edhe mundësi për intervista me gazetarët e autorizuar nga SPAK.
Reagimi i plotë:
Mirënjohje Nënkryetarit të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, deputetit të Partisë Demokratike, Z. Klevis Balliu për këmbënguljen e tij të vazhdueshme për të inspektuar nga afër kushtet e trajtimit në IEVP "Jordan Misja".
E falenderoj për inspektimin që ju ka bërë të gjithë ambienteve të këtij institucioni, për interesimin që ka shprehur për t'u njohur me trajtimin dhe kushtet e të paraburgosurve të tjerë, si edhe për adresimin e drejtë të problematikave të konstatuara, jo vetem te Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por edhe në institucionet e tjera, sepse besoj se kushtet e trajtimit të të paraburgosurve janë të njëjta në të gjithë vendin.
Në veçanti përshëndes iniciativën e Z. Balliu për të mbështetur krijimin e një biblioteke dinjitoze në IEVP "Jordan Misja", ku edhe unë do të jem kontributori i parë.
Gjithashtu e falenderova në veçanti Z. Balliu për solidaritetin, mbështetjen dhe thirrjen publike për domosdoshmërinë e një procesi të drejtë të bërë nga lideri i Partisë Demokratike dhe opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha.
Lidhur me procesin ndaj meje kërkova që opozita të angazhohet vetëm për transparencën publike për shkak të profilit të lartë publik dhe gjithmonë në respekt të qytetarëve shqiptarë që meritojnë transparencë dhe llogaridhënie për shkak të tre funksioneve më të larta shtetërore që kam mbajtur, President i Republikës, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër, si dhe angazhimin për t'u garantuar të gjithë gazetarëve të interesuar dhe që kanë marrë leje nga SPAK për të më intervistuar.