Vlorë/ Banorët e Risilisë kundërshtojnë ndërtimin e strehës së qenve pranë banesave.
Banorët e fshatit Risili kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me dyshimet për ndërtimin e një strehë qensh pranë zonës së banuar. Sipas tyre, në zonë kanë mbërritur materiale që dyshohet se do të përdoren për këtë projekt, ndërsa pretendojnë se punimet mund të kenë nisur, edhe pse nuk ka ende asgjë zyrtare.
Sipas informacioneve, projektvendimi i Këshilli Bashkiak i Vlorës për ndërtimin e strehës së qenve është dërguar vetëm një ditë më parë në Prefekturë për verifikimin e ligjshmërisë dhe ende nuk ka marrë miratim. Gjithashtu, nuk raportohet për procedura prokurimi të nisura për ndërtimin apo pajisjet.
Banorët shprehen se askush nuk po u jep përgjigje për shqetësimin e tyre dhe kërkojnë transparencë nga institucionet.
Ata kundërshtojnë ndërtimin e strehës së qenve brenda lagjes dhe kërkojnë që çdo vendimmarrje të bëhet larg zonave të banuara.
Bashkia Vlorë ka paraqitur një projekvendim për ngritjen e një strehëze për qentë endacakë, me kapacitet prej 100 qenësh, ku parashikohet jo vetëm strehimi, por edhe ushqimi, vaksinimi dhe hospitalizimi i tyre.
Si koncept, kjo është një nismë pozitive dhe e domosdoshme për një qytet që synon standarde më të larta në menaxhimin e hapësirave publike dhe sigurisë.
Megjithatë, gjatë shqyrtimit në komisionet përkatëse – Juridik, Financë dhe Shërbime – kam votuar kundër këtij projekti, për shkak të kostove të larta dhe mungesës së një justifikimi të qartë financiar.
Sipas projektit, për periudhën 8-mujore Maj–Dhjetor 2026, janë parashikuar këto shpenzime:
* Pagat e 6 punonjësve: 7,414,938 lekë. Një punonjës bashkë me orë nates arrin deri në 158,000 lekë/muaj.
* Shpenzime operative: 10,455,600 lekë.
* Investime në ambientin me qira: 8,160,000 lekë.
* Qiraja: 2,000 euro/muaj
* Kafazet: 500 euro për një qen (50,000 euro për 100 kafaze)
Në total 260.000 euro, dhe kjo përkthehet në një kosto prej rreth 260 euro në muaj për çdo qen.
Kjo shifër ngre pikëpyetje serioze mbi eficiencën e përdorimit të fondeve publike.
Edhe duke marrë në konsideratë të gjitha shërbimet e nevojshme – ushqim, kujdes veterinar, staf dhe mirëmbajtje – kostoja për njësi duket e lartë dhe kërkon transparencë të plotë mbi mënyrën e përllogaritjes.
Në të njëjtën kohë, në buxhetin e miratuar për vitin 2026, Bashkia Vlorë ka parashikuar për kujdesin social ndaj shtresave në nevojë dhe personave me aftësi të kufizuar një fond prej 310,000 euro, ose vetëm 0.69% e buxhetit total.
Për të njëjtën periudhë 8-mujore, kjo shumë përkthehet në rreth 207,000 euro.