Ndërtimi në Shqipëri, skemë piramidale'/ Shkëmbi: 50-70 mijë apartamente bosh në Tiranë, tregu drejt krizës

Agjenti imobiliar Armando Shkëmbi në një intervistë për emisionin “Kafe Shqeto” ka ngritur shqetësime për situatën aktuale në tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri, duke folur për atë që ai e cilëson si krijim të një “flluske” si në Tiranë ashtu edhe në bregdet. Sipas tij, rritja e çmimeve nuk po lidhet me kërkesën reale për banim, por kryesisht me spekulime dhe blerje të orientuara për rishitje me fitim.

Shkëmbi thekson se një pjesë e madhe e apartamenteve në kryeqytet mbeten bosh, ndërsa paralelisht po shfaqen të njëjtat tendenca edhe në zonat bregdetare, ku investimet në pasuri të paluajtshme po drejtohen gjithnjë e më shumë nga pritshmëritë për rritje çmimesh sesa nga nevoja për përdorim real.

Ai e krahason këtë fenomen me raste historike të flluskave spekulative në tregje ndërkombëtare, duke paralajmëruar për rrezikun e një krize të mundshme në sektorin e ndërtimit nëse tregu pëson tkurrje të kërkesës.

Sipas tij, struktura aktuale e ekonomisë së ndërtimit në vend mbështetet kryesisht te paratë e blerësve dhe jo te kapitali i konsoliduar i sektorit, çka e bën tregun të ndjeshëm ndaj çdo ndryshimi në besimin e konsumatorëve.

Shkëmbi ngre gjithashtu pyetjen mbi orientimin ekonomik të vendit, duke theksuar nevojën për më shumë fokus në biznese prodhuese dhe ekonomi reale, në vend të zgjerimit të pakontrolluar të ndërtimit.

Deklarata e plotë:          

“Gjithë këto vite ne ndërtuam një flluskë shumë të madhe në Tiranë. Pra Tirana është zyrtarisht flluskë, jo thjesht të spekullojmë ne të tre këtu në në panel.

Tani po krijohet flluska në bregdet. Dhe si krijohet flluska, krijohet nga spekulimi. Pra këto çmime janë çmime spekulative, ku shumica absolute e njerëzve blejnë për të rishitur. Nuk blejnë për të banuar. Pra hajde blejmë një shtëpi në bregdet që të shkojmë në plazh. Jo.

Trendi është hajde blejmë një shtëpi në bregdet se do rriten çmimet. Dhe nga të gjitha anët, dhe në Tiranë ka ndodhur kjo dhe ne kemi 50 deri në 70,000 apartamente boshe, e kam thënë disa herë në emisionin tim, sepse nuk taksohen pronat.

 Janë blerë rinë bosh dhe çuditërisht ju rritet çmimi. Ju rritet se nuk janë të taksuara proporcionalisht.

Të njëjtën gjë tani po çojmë dhe në bregdet. Bregdeti ka qenë goxha i shëndetshëm si treg, tani po kthehet edhe ai në flluskë avash-avash. Dhe çfarë ndodh? Po të keni parasysh maninë e tulipanëve në Hollandë në shekullin e 17.

 Filluan njerëzit blinin tulipan se do t'i shkojë çmimi kaq e do t'i shkojë aq e shkoi një tulipan, pra një farë tulipani sa një vilë. Dhe kush ishte ideja? Dikur konsumatori lodhet, i vjen në majë të hundës nga këto çmime, tërhiqet nga tregu.

Larg qoftë me na u tërheq ne 20% të konsumatorëve nga tregu sepse falimenton industria e ndërtimit të nesërme në mëngjes. Sepse industria e ndërtimit tonë nuk ka likuiditet, nuk është e kapitalizuar, ndërton me lekët e blerësve, shqiptarit të thjeshtë që është duke fluturuar tani dhe thotë, unë blej, çmimet rritet, unë jam investitor i zgjuar.

Dhe të gjithë janë hedhur këtu tani dhe ka një ngjashmëri kjo me firmat piramidale.

Për aq kohë sa funksionon jemi të gjithë të lumtur, hamë, pimë, hedhim valle, vëmë muzikën me me me me ritëm të lartë. Ideja është që kjo, kjo nuk është ekonomi reale. Ekonomi reale është kur ti prodhon një produkt që e duan dhe të tjerët.

 Pra është, bujqësia është ekonomi reale, turizmi është ekonomi reale. Ndërtimi që sot është 12% e GDP-së shqiptare, mesatarja europiane është 6%. 12% e GDP-së vetëm ndërtimi.Kjo nuk është ekonomi, se këto 50 apo 70,000 apartamente që i kemi bosh në Tiranë mund të ishin 50,000 biznese. Se 100,000 euro të jenë nis një biznes. Po.

Pra, zonja dhe politikanët e tjerë, nëse e japin orientimin, sot është në opozitë, po kur të jetë në pozitë, orientimin e ekonomisë që lekët shkojnë të krijojnë biznese, jo pallate. Çfarë i duam ne gjithë këto pallate? Ne 2 milionë njerëz jemi. Ne kemi krijuar një çudi këtu që do vijnë ta studiojnë nesër. Ore po këta ç'kanë që ndërtojnë kaq shumë? Vetëm ne mund të krijojmë kështu çudira.