Reagimet e Spiropalit/ Hoxha: Mund të konsiderohen si një ‘gërvishtje’ në murin e mazhorancës...

Lëvizja e papritur e ministres Elisa Spiropali, e cila përmes një kërkese publike kërkoi përjashtimin e saj, ka shkaktuar një furtunë komentesh në skenën politike. E cilësuar si një “shenjë e qametit” nga analisti Artan Hoxha i cili ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, kjo dalje publike po shihet si lëvizja e parë serioze brenda Partisë Socialiste pas një heshtjeje të gjatë që nga koha e Ben Blushit.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Hoxha shprehet se ndonëse e pabesueshme, diçka po lëviz brenda mazhorancës. Sipas tij, kjo lëvizje mund të jetë një betejë e mirëfilltë e brendshme, ose një manovër strategjike e Spiropalit për të tërhequr vëmendjen e kryeministrit.

“Më duket një situatë e tillë sikur Elisa po i thotë kryeministrit që dikush ka folur keq për mua dhe ju i keni besuar, por situata nuk është ashtu,” u shpreh Hoxha, duke bërë një paralele me një skenë nga filmi i njohur shqiptar “Asgjë nuk harrohet”.

Megjithatë, ai e konsideron Partinë Socialiste si një strukturë “beton arme”, të cilën është pothuajse e pamundur ta plasaritësh. Sipas tij, veprimet e Spiropalit, sado të bujshme, mund të konsiderohen më së shumti si një “gërvishtje” apo një “plasaritje suvaje” në murin e fortë të mazhorancës, por jo një e çarë që mund të sjellë ndryshime rrënjësore.

Një tjetër këndvështrim i ofruar nga analisti është se Spiropali mund të jetë duke ndryshuar pozicionimin e saj politik. “Në këtë moment, Elisa Spiropali duket sikur është shkarkuar nga rilindasit dhe po flet si socialiste,” theksoi Hoxha. Kjo interpretohet si një përpjekje e saj për t'iu adresuar bazës tradicionale të partisë, duke kërkuar një ndarje më të qartë mes partisë dhe administratës shtetërore, një thirrje kjo që i ngjan një lëvizjeje parimore për rikthimin e sovranitetit të partisë përballë pushtetit ekzekutiv.

Flavio Qarri: Pyetja e parë që kam për ju është shumë e thjeshtë. Më përjashto. Çfarë do të thotë kjo fjali kaq e shkurtër, heminguejane, nëse do do ishim në rrethana të tjera? E pashë u lëndove pak nga kujtimi i Hemingëay-t.

Artan Hoxha: Shiko, çdo gjë e kisha menduar, përfshirë edhe që Paris Saint-Germain do të shkonte 5-4 me Bayernin. Por që do vinte Elisa Spiropali, do t’i lutej Skënderbeut më përjashto, çfarë të them, kjo është, kjo është shenjë e qametit. Gjithsesi, sigurisht duket sikur në Partinë Socialiste po ndodh diçka, sepse është një front ku nuk ndodh asgjë, ka kohë që s'ndodh asgjë. Mos gaboj që nga koha e Ben Blushit, që i bie diku tek mandati i parë, pastaj s'ndodhi një gjë aty. Ne duam që vërtet Elisa Spiropali të bëjë një betejë brenda mazhorancës. Sigurisht se do ta mbështesnim nëse ajo e ka seriozisht, ose nëse ajo do të hyjë në një betejë, pikërisht aty ku ajo nuk mund të hyjë, por, më duket ende e pabesueshme, që të kemi të bëjmë me një lëvizje serioze e cila mund të shkaktojë sado pak një gërvishtje, apo një plasaritje suvaje, betonarmeja që ka hedhur, kryeministri në mazhorancë, madje betonarmeja e Taulant Surrelit, që nuk ka shans që ta plasarisë dhe të marrë një të çarë në mazhorancë.

Flavio Qarri: Pse po e bën këtë? Kjo është pyetja. Ti je te ata që besojnë se e ka bërë pas hidhërimit për mungesën e postit apo e ka nisur më herët?

Artan Hoxha: Dëgjo, për çfarëdo lloj motivi që ta bëjë, është thashë, një gjë e papërfytyrueshme në Frontin e mazhorancës. Por, sigurisht që ajo po përpiqet vetë për të marrë edhe një vëmendje tjetër nga kryeministri, për t'i dëshmuar atij se ajo ka qenë, siç ka qenë vazhdimisht aty një njeri i devotshëm, që ka përmbushur misionin dhe detyrat e ngarkuara nga kryeministri. Dhe, nëse kujton atë filmin ‘Asgjë nuk harrohet’ me Lame Kurrizin, kur e pyet hetuesi, i thotë, ‘mos të kemi thirrur kot’ i thotë Lame Kurrizit? I thotë ai ‘jo, ju kurrë nuk më thërrisni kot. Por dikush ka folur keq për mua’ thotë ‘dhe ju e keni besuar’. Edhe mua më duket një situatë e tillë sikur Elisa po i thotë kryeministrit që dikush ka folur keq për mua dhe ju i keni besuar, por situata nuk është ashtu. Sepse, nëse do të kishim me një lëvizje, vërtet lëvizje, pra të ngjashme me levizjen e famshme të Arben Malajt, Ben Blushit apo Kastriot Islamit, apo qoftë edhe me lëvizjen më mbrapa që çoi në një formacion politik si Lëvizja Libra e Ben Blushit, do të dallonim disa elementë të tjerë. Gjithsesi, kaq i i mumifikuar ka qenë fronti i mazhorancës sa edhe një diçka pra, vetëm dy-tre statuse në Facebook të Elisa Spiropalit dhe duket sikur kanë krijuar një furtunë e cila në fund të fundit është një furtunë në gotë.

Tash, ne duam që në atë forcë politike, e cila ka kohë që është kthyer në një detashment ushtarak, pra nga partia e Fatos Nanos që kishte atë KPD e famshme, ku kryetari i partisë papritur çohej e fillonte nga Peza një lëvizje brenda, katarsis brenda partisë dhe rrëzonte qeverinë. Sot nuk ka më shanse të ndodhi kjo, Flavio. Madje mbrëmë dëgjova një element shumë interesant në media ku thoshte, ‘sikur kjo të kishte ndodhur në opozitë, këtë do ta kishin kryqëzuar, do ta kishin varur, do ta kishin rjepur e ku di unë çfarë të them me këto lloj idesh’. Unë, thashë sinqerisht do të doja që Elisa Spiropali, qoftë edhe një lëvizje parimore, pra, a e pe se çfarë thotë? Ajo s’ka gjë me kryeministrin e shtrenjtë. Ajo thotë ‘unë po kërkoj që partia’ thotë ‘ të jetë, të ndahet nga drejtorët dhe nga administrata’, dhe partia të jetë siç duhet të jetë, pra të jetë sovrane, dhe drejtoria dhe administrata mos jenë ata që e kanë korporuar partinë, që e kontrollojnë partinë dhe partia duket pothuajse nuk funksionon. Nëse kujtoni kemi diskutuar herë tjetër bashkë dhe të kam thënë që, kur vjen fushata elektorale, gjithmonë Edi Rama flet për socialistët dhe sa mbaron fushata, flet për rilindasit. Pra, votën e merr nga socialistët, qeverisjen e bën me rilindasit. Në këtë moment, Elisa Spiropali duket sikur është shkarkuar nga rilindasit dhe po flet si socialiste….