Sulm kibernetik/ Hakerat tronditin futbollin botëror: publikohen mbi 150 mijë dokumente sekrete

Një sulm masiv kibernetik ka goditur rëndë botën e futbollit, duke ekspozuar mbi 150 mijë dokumente konfidenciale që lidhen me lojtarë, trajnerë dhe drejtues të nivelit më të lartë. Ngjarja po konsiderohet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë në historinë e sportit.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, në rrjet janë publikuar të dhëna tepër të ndjeshme, përfshirë pasaporta, kontrata profesionale, adresa email-i dhe madje edhe informacione bankare.

Mes emrave të përfshirë janë yje si Son Heung-min, Lee Kang-in, Mehdi Taremi dhe Neymar, si dhe presidenti i FIFA, Gianni Infantino.

Të dhënat e publikuara janë shpërndarë në forume të krimit kibernetik dhe përmbajnë informacione shumë të detajuara për individët e prekur, çka rrit ndjeshëm rrezikun për mashtrime financiare dhe vjedhje identiteti.

Ekspertët paralajmërojnë se pasojat mund të jenë afatgjata dhe të ndikojnë jo vetëm individët, por edhe klubet dhe institucionet sportive.

Materialet e rrjedhura rezultojnë të organizuara në mënyrë sistematike, të ndara sipas shteteve dhe me dosje individuale për secilin person.

Kjo ka shtuar dyshimet se bëhet fjalë për një sulm të mirëplanifikuar dhe një depërtim të drejtpërdrejtë në sistemet e brendshme të organizatave sportive.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi i njohur i hakerëve ShinyHunters, i cili e ka cilësuar këtë si “shkeljen më të madhe në historinë e futbollit”.

Hetimet janë në vijim, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga institucionet më të larta të futbollit botëror.