Tabaku: Çmimet e apartamenteve në bregdet, pasojë e një tregu të deformuar dhe parave të pista
Çmimet e apartamenteve në bregdetin shqiptar, të cilat janë kthyer në një realitet të papërballueshëm për qytetarët, janë pasojë e një tregu të deformuar që favorizon një pakicë dhe dyshohet se ushqehet nga paratë e pista.
Kështu u shpreh deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila në studion e ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, zbardhi një skemë me tre shtylla ku mbështetet bumi i ndërtimeve në zonat turistike. Sipas saj, deformimi i parë dhe thelbësor i tregut nis me ligjin për “Investimet Strategjike”. Ky ligj, sipas deputetes, përdoret si një mekanizëm për t’u marrë tokën pronarëve të ligjshëm dhe për t’ia dhënë atë investitorëve të rinj, shpesh me çmime të përcaktuara nga qeveria dhe jo nga tregu i lirë. Ajo theksoi se 80% e vendimeve të marra në kuadër të këtij ligji janë për resorte turistike, duke e banalizuar konceptin e investimit strategjik dhe duke e kthyer në një mjet për përfitime të padrejta.
Jorida Tabaku: E para njëherë, një pjesë e madhe e të gjithë atyre që juve kishit në insert janë investime strategjike. Është ligji i investimeve strategjike që një pjesë është marrë e pronarëve atje të ligjshëm dhe i është dhënë një pronari të ri. Dhe për mua ky është deformimi i parë që i ka nisur tregut. Shqipëria nuk ka nevojë për një ligj investimesh strategjike. Në qoftë se ka një pronar legjitim toke, ai ka të gjithë të drejtën e vet të bashkëveprojë, të hyjë në një marrëveshje me një pronar tjetër, me një pronar tjetër dhe ta shesi tokën me çmim tregu. Nuk ka pse të ndërhyjë shteti me një çmim VKM-je dhe këtu është preferenca e parë. Dhe ligji i investimeve strategjike ka 80% të të gjithë vendimeve të tij për resortin turizëm. Pra është banalizuar koncepti dhe investimi strategjik. Së dyti, ne biseduam edhe pak për këtë ndërtimin masiv që po ndodh. Ndërtimin masiv i cili në turizëm sigurisht është më shumë, në jug të vendit është akoma dhe më shumë dhe në Tiranë në vitet e shkuara janë dhënë 9 milionë metra katror ndërtim. A e ka kapacitetin Tirana për 9 milionë metra katror ndërtim? Dhe së fundmi, për mua ka një pikëpyetje shumë të madhe se si financohet dhe investohet ky ndërtim.
Financimi i ndërtimit është pikëpyetja më e madhe që ka Shqipëria dhe e kanë vendosur Shqipërinë edhe në listën gri të pastrimit të parave pak vite më parë. Miratuam tre ligje dhe iku, po situata nuk është se ka ndryshuar në praktikë dhe në terren. Aty, në koncesione, në partneritete publike private, raporti i SPAK-ut ngrinte një alarm që nuk është ngritur kurrë më parë dhe në lojërat e fatit. Dhe alarmi që ngrinte SPAK-u ishte që po përdoren kanale zyrtare financimi për të pastruar paratë jozyrtare, që është pastrimi i parave. Dhe së fundmi është kaq e thjeshtë sot që të bësh një turizëm, të marrësh një markë, sepse ti përfiton investimin strategjik, përfiton uljen e taksave dhe këtu janë favoret më të mëdhaja fiskale. Dhe këtu është deformimi i tretë që ndodh në tregun shqiptar, sepse një lokal i vogël në jug, në Vlorë, në Palasë, në Dhërmi, në Himarë, në Borsh, paguan taksa të larta. Paguan taksë infrastrukture, në qoftë se do të bëjë një investim. Inspektorët që i shkojnë përditë te koka pa nisur akoma sezoni turistik. Paguan, kur pi kafen atje ti paguan TVSH. Kurse kur shkon te këto investime strategjike, që i marrin tokën pronarit, që shkojnë atje pa taksë infrastrukture, i çon ujësjellës, kanalizime e me radhë, aty s'paguan TVSH. Pse s'paguan? Sepse ato janë të përjashtuar, kur paguan kafen them, se ato janë të përjashtuar nga një sërë taksash dhe ky është favori tjetër që unë në gjykimin tim... Ata qenkan në një shtet më vete, në një treg tjetër. Këta janë në një flluskë. Kjo është kjo është flluska e... kjo është flluska e pakicës. Kjo është flluska e atyre pak vetave që përfitojnë nga buxheti i shtetit. Sepse në qoftë se shumica e qytetarëve shqiptarë paguajnë taksa normalisht, edhe të larta dhe ne kemi folur bashkë këtu për taksat e larta shpeshherë, në këtë rast ne kemi një flluskë që operon si i favorizuar i qeverisë.
Dhe për mua ky është modeli që e ka prishur turizmin, veçanërisht në jug të vendit. Se çfarë turizmi po ndërtojmë ne? Po ndërtojmë turizmin masiv, një model që e ka Turqia dhe ka ecur atje apo do ndërtojmë një turizëm elitar, të qëndrueshëm, që ka edhe një balancë, si Kroacia, si Greqia, që qytetarët... që shkojnë njerëzit edhe për atë bukurinë që ka riviera shqiptare dhe nuk shkojnë për të ndenjur brenda këtij hotelit të madh me pesë yje. Po thënë kjo, shqetësimi që ne sot kemi është çmimi i papërballueshëm i këtyre apartamenteve. Është komplet jashtë realitetit. Një të riu shqiptar që të blejë një apartament i duhen 60 vite. Mos bëj asgjë tjetër. Mos të hajë, mos të jetojë, mos t'i çojë fëmijët në shkollë, mos të paguajë energji elektrike, mos të ketë asnjë shpenzim tjetër. Vetëm që të blejë një apartament. 60 vite. Dhe kjo është shumë më e lartë se gjithë vendet e tjera të rajonit, kjo është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, duke pasur parasysh dhe nivelin e të ardhurave që ne kemi, dhe është komplet jashtë realitetit. Është një realitet paralel që nuk është për shqiptarët.