Harry Kane paralajmëron ‘luftë’ në sfidën e kthimit: Ja çfarë do të bëjmë në Mynih
Sulmuesi i Harry Kane ishte një nga protagonistët e sfidës spektakolare mes Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, që përfundoi me rezultatin e çmendur 5-4 në gjysmëfinalen e parë të Champions League.
Bomberi anglez hapi serinë e golave nga pika e bardhë në minutën e 17-të, duke dhënë sinjalin e një përballjeje të jashtëzakonshme.
Pas ndeshjes, Kane vlerësoi nivelin e lartë të dy skuadrave, duke theksuar ritmin, intensitetin dhe cilësinë në fazën sulmuese.
“Pamë dy ekipe të nivelit më të lartë, sidomos në tranzicionet dhe duelet një kundër një. Ishte një ndeshje e hapur mes dy prej skuadrave më të forta në Evropë”, u shpreh ai.
Pavarësisht disavantazhit 5-2 në një moment të takimit, Bayerni arriti të rikthehej në lojë, duke e çuar rezultatin në 5-4, çka sipas Kane është një arsye krenarie.
“Në transfertë dhe në atë situatë, ishte shumë e vështirë, por reagimi ynë tregon karakterin e ekipit”, shtoi sulmuesi.
Ai pranoi gjithashtu se skuadra e tij mund të kishte qenë më e saktë në momentet vendimtare, por vuri në dukje një element kyç: rënien fizike të PSG-së në fundin e sfidës.
“Ndjemë që ata u lodhën dhe ne u rritëm me kalimin e minutave”, deklaroi Kane.
Në prag të ndeshjes së kthimit, anglezi dha një mesazh të qartë: gjithçka mbetet e hapur.
“Do të fitojë skuadra që shfrytëzon më mirë momentet. Me tifozët tanë në krah, besojmë se mund ta përmbysim gjithçka”, përfundoi ai.