Luis Enrique ‘fluturon’ pas spektaklit PSG-Bayern: Ndeshja më e mirë e karrierës sime
Trajneri i Luis Enrique nuk i kurseu superlativat pas triumfit spektakolar të Paris Saint-Germain ndaj Bayern Munich me shifrat 5-4, në një gjysmëfinale që shumëkush po e cilëson si “finale të parakohshme” të Champions League.
Tekniku spanjoll u shfaq i entuziazmuar pas ndeshjes, duke e cilësuar këtë përballje si më të mirën e karrierës së tij në stol. “Nuk kam parë kurrë një ndeshje me këtë intensitet dhe këtë dëshirë për të fituar. Ishte një spektakël i vërtetë për tifozët”, deklaroi ai, duke vlerësuar edhe kundërshtarin për rezistencën e jashtëzakonshme.
Skuadra bavareze e drejtuar nga Vincent Kompany nuk u dorëzua në asnjë moment, duke rrezikuar seriozisht përmbysjen, edhe pse PSG krijoi një avantazh të konsiderueshëm gjatë ndeshjes (deri në 5-2).
Pikërisht kjo luhatje në rezultat ishte një nga pikat që Enrique e pranoi si problem për ekipin e tij.
“Ne ndërtuam një epërsi të mirë, por morëm shumë rreziqe dhe i lejuam ata të rikthehen. Megjithatë, ky është futbolli në nivelet më të larta”, shtoi trajneri i PSG-së.
Përtej emocioneve të sfidës, kjo fitore shënoi edhe një arritje personale për Luis Enrique, i cili arriti 50 fitore në Champions League më shpejt se Pep Guardiola.
Një rekord që vetëm sa konfirmon formën dhe ndikimin e tij në këtë edicion.
Në fund, gjithçka përmblidhet në një fjali: një ndeshje për historinë, që mund të vendosë fatin e gjithë sezonit.