'Kafazi i xhamit, absurditet', Hoxhaj: Proces i dirigjuar politikisht për poshtërimin e Metës dhe goditjen e opozitës

Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në ‘A SHOW’ me Adi Krastën, u shpreh se procesi ndaj Ilir Metës nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me një skenar të mirëorganizuar për poshtërimin e tij publik dhe goditjen e opozitës.

Ai theksoi se arrestimi dhe mënyra e trajtimit të ish-presidentit janë pjesë e një regjie të menduar në detaje, që synon degradimin e figurës së tij politike.

Sipas Hoxhajt, mbajtja e Metës në qeli dhe paraqitja e tij në kafaz nuk justifikohet me rrezikshmëri, por me një qëllim të qartë politik. Ai ngriti shqetësimin për standarde të dyfishta në drejtësi, duke theksuar se persona me precedentë kriminalë janë trajtuar më lehtë se një ish-kryetar shteti.

Në këtë kuadër, Hoxhaj shtoi se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi një vullnet politik të përqendruar, që synon poshtërimin e kundërshtarëve.

Pjesë nga deklarata:

Po unë nuk besoj se konsiderohet i rrezikshëm zoti Meta. Me zotin Meta, si politika, njeriu që e kërkoi të ishte në atë kafaz dhe ata që e realizuan këtë qëllim, sikundër bënë edhe me liderin tjetër të opozitës, zotin Berisha apo me dhëndrin e tij, duan vetëm që të poshtërojnë dhe duan që këtë vend ta shohin pa opozitë dhe pa njerëz të cilët mund të kundërshtojnë dhe mund të flasin për gjëra për të cilat qeveria nuk ka dëshirë të flitet. Zoti Meta ishte një skenar i përgatitur, po themi, nga A-ja te Zh-ja.

Patjetër, ishte një skenar me regji, që nga momenti që zotit Meta iu bë pritë në hyrje të Tiranës. U regjistrua e gjithë ajo pjesë, ajo skenë makabre e arrestimit të tij, e marrjes zvarrë, dhe deri në këtë ditë që kemi arritur sot. Për zotin Meta duan, dhe unë mendoj që ka një autor, dhe këtu ky është qëndrimi im personal: ai është Edi Rama. Ai do që ta shohë të poshtëruar. Sepse zoti Meta, me të gjitha drejtimet e tij politike 35-vjeçare në këtë vend, në fund të ditës ka qenë ish-president i vendit, ish-kryetar i Kuvendit, ish-kryeministër i vendit, drejtues i një partie të dytë opozitare më të madhe në vend dhe, mbi të gjitha, një figurë e rëndësishme politike.

Ne e pamë çfarë ndodhi me zotin Sarkozy në Francë. Për pak ditë iu bë një proces tërësisht në liri të plotë. U arrestua dhe u dërgua pasi u vendos që ai do të dënohej me burgim. U mbajt disa ditë në qeli dhe më pas, për shkak të gjithë kësaj situate, duke qenë ish-president i Francës, u lirua dhe do ta vuajë dënimin në kushte shtëpie. Pse duhet të rrijë sot në qeli zoti Meta, ndërkohë që është duke u gjykuar? Cili është rreziku?

Nuk është çështja vetëm te dyfytyrësia e sistemit të drejtësisë. Këtu është absurdi i madh, madje e tejkalon absurdin. Është po e njëjta gjykatë apo strukturë që ka liruar kriminelë, ka liruar njerëz me një CV shumë të pasur kriminale apo problematike, të cilët ose janë gjykuar në liri, ose me masa më të buta arresti, ose nuk janë arrestuar fare. Madje, në disa raste, janë dekonspiruar operacionet dhe janë larguar nga Shqipëria dhe sot e kësaj dite nuk janë arrestuar. Një numër shumë i madh njerëzish problematikë janë trajtuar në këtë mënyrë, ndërkohë që ish-presidenti, ish-kryeministri apo ish-kryetari i Kuvendit mbahet në qeli në fazën kur ai po gjykohet. Pse duhet të mbahet në qeli?

Pra, unë nuk e kam vetëm me gjykimin brenda kafazit, që për mua është absurd dhe nuk paraqet asnjë rrezik. Nuk besoj se zoti Meta do të vrapojë siç vraponte dikur, duke ngjitur malet në aktivitetin e tij fizik. Nuk besoj se do ta bëjë një gjë të tillë. Përkundrazi, zoti Meta ka treguar gatishmëri, ka shkuar disa herë në SPAK gjatë periudhës së hetimeve, përpara se të arrestohej. Por unë kam bindjen se ndaj zotit Meta dhe ndaj personazheve të caktuar, regjimi ku jetojmë kërkon t’i shohë të poshtëruar.

Përfitimi i drejtpërdrejtë është kënaqësia që ndjen një njeri në këtë vend, Edi Rama. Unë jam i bindur që, përtej tij, asnjë prej socialistëve, asnjë prej ministrave apo deputetëve të tij nuk do të donte ta shihte atë skenë. Madje, e kanë shprehur edhe nën zë. Për këtë jam i bindur. Problemi është që ai njeri, kryeministri i vendit, për shkaqe nga më të ndryshme, kërkon që zotin Meta ta shohë në atë gjendje. Kjo është arsyeja e vetme.