Seanca për presidentin/ Thirrja e fundit e Kurtit për opozitën, Lushaku: S'do kompromis, PDK paralajmëron
Pritet të nisë seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës sot në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Vazhdimi i saj ishte paralajmëruar për orën 19:00.
Pasi akuzoi opozitën për bllokimin e zgjedhjes së presidentit, kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje Lumir Abdixhikut e Bedri Hamzës që të vijnë në Kuvend.
Kryeministri Albin Kurti bëri sërish apel opozitës të marrë pjesë në seancë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk po e dëshiron Vjosa Osmanin për presidente.
“Albin Kurti nuk po dëshiron kompromis me LDK-në”, ka shkruar Lushaku- Sadriu në rrjetin social Facebook.
Sipas saj, Albini Kurti deshi të përmbysë rendin kushtetues.
“Kjo në fakt nuk është krizë politike. Është krizë e një njeriu që s’pranon rend e ligj”, ka shkruar ajo.
LDK-ja ka thënë më herët se mund ta propozojë ish-presidenten Osmani për një mandat të dytë.
Partia Demokratike e Kosovës, një orë para fillimit të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, ka paralajmëruar “mobilizim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës.
Kjo parti në një postim në Facebook, ka njoftuar se pas mbledhjes së Kryesisë, ka mbledhur sot edhe kryetarët e degëve të saj, duke kërkuar “mobilizim të plotë të strukturave partiake në të gjithë vendin”.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, është cituar të ketë thënë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.
Pa specifikuar format e sakta të reagimit, PDK ka thënë se do të angazhohen “në të gjitha format demokratike dhe institucionale”.
Në rast moszgjedhjeje të presidentit deri në mesnatë, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare. Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.