Kërkesat për 'gjak të pavaksinuar' po rrezikojnë jetët dhe po krijojnë kaos në spitale

Një trend shqetësues po përhapet në disa vende, ku pacientë apo familjarë të tyre po refuzojnë transfuzionet e gjakut nga dhurues të vaksinuar kundër COVID-19, duke kërkuar vetëm “gjak të pavaksinuar”. Sipas ekspertëve, kjo po shkakton vonesa të rrezikshme dhe probleme serioze në funksionimin e spitaleve.

Një studim i kryer në Vanderbilt University Medical Center ka identifikuar disa raste ku familjarët kanë insistuar për transfuzione nga persona specifikisht të pavaksinuar, pavarësisht mungesës së çdo prove shkencore që gjaku i vaksinuar përbën rrezik.

Mjekët paralajmërojnë se këto kërkesa, të nxitura kryesisht nga keqinformimi mbi teknologjinë mRNA, kanë sjellë pasoja të rënda shëndetësore. Në disa raste, pacientët kanë përjetuar rënie të rrezikshme të hemoglobinës dhe anemi, ndërsa prisnin gjak që përputhej me kërkesat e tyre specifike.

Ekspertët theksojnë se praktika e “dhurimeve të drejtuara” është përdorur më parë gjatë epidemisë së HIV/AIDS, por sot konsiderohet e panevojshme dhe më e ndërlikuar për t’u menaxhuar. Madje, ndryshe nga sistemi i rregulluar i dhurimeve të zakonshme, këto raste mund të mbartin rrezik më të lartë infeksioni, pasi shpesh përfshijnë dhurues të rastësishëm dhe jo vullnetarë të kontrolluar rregullisht.

Ndërkohë që vende si Mbretëria e Bashkuar dhe Australia i kufizojnë këto kërkesa vetëm në raste shumë të rralla, në disa rajone të SHBA-së po diskutohen edhe iniciativa ligjore për t’i lejuar ato.