Fenerbahçe shkarkon Tedesco-n pas humbjes në derbi, nis revolucioni në klub

Fenerbahçe ka marrë vendimin e fortë për të shkarkuar trajnerin Domenico Tedesco, vetëm një ditë pas humbjes së rëndë 3-0 në derbin ndaj Galatasaray-T, rezultat që praktikisht i mbylli shpresat për titullin kampion në Süper Lig.

Humbja në “Derbin e Bosforit” e la Fenerbahçen shtatë pikë pas rivalëve të qytetit me vetëm tri ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, duke thelluar zhgënjimin në një tjetër vit pa trofe në kampionat. Klubi nga Stambolli nuk e ka fituar titullin prej vitit 2014, një periudhë e gjatë që ka rritur presionin mbi drejtuesit dhe stafin teknik.

Në një deklaratë zyrtare, klubi konfirmoi jo vetëm largimin e Tedesco-s, por edhe një riorganizim të plotë të strukturës sportive. Së bashku me trajnerin u shkarkuan edhe drejtori sportiv, Devin Özek, dhe koordinatori i futbollit, Berke Çelebi.

“E falënderojmë Domenico Tedesco-n dhe stafin e tij për përpjekjet dhe u urojmë suksese në të ardhmen”, thuhej në komunikatën e klubit.

Për tri ndeshjet e fundit të sezonit, drejtimin e skuadrës do ta marrë asistenti Zeki Murat Göle, i cili do të përpiqet të stabilizojë situatën në një moment të vështirë për klubin.

Tedesco, 40 vjeç, kishte ardhur në Stamboll në shtator me reputacion për fleksibilitet taktik pas eksperiencave te RB Leipzig dhe në përfaqësuesen e Belgjikës. Megjithatë, ai nuk arriti të përballonte presionin e madh në Turqi, as pritshmëritë e larta të tifozëve që kërkojnë me çdo kusht rikthimin e titullit.

Tani, Fenerbahçe hyn në një periudhë të re rindërtimi, me synimin për të thyer dominimin e Galatasaray-t dhe për t’u rikthyer në majën e futbollit turk.