SYRI TV/ S'kanë treg fermerët e Voskopit humbin, u kalben qindra ton qepë

Fermerët e fshatit Voskop të Korçës janë detyruar të hedhin qepët, pasi janë përballur me një situatë shumë të vështirë të mungesës së tregut. Sa i përket subvencioneve, ata shprehen se nuk kanë mbështetje, ndërsa rritja e çmimit të naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në shpenzimet për punimin e tokës. Kjo situatë ka vënë në rrezik vazhdimësinë e këtij aktiviteti për shumë familje.

Në fshatin Voskop të Korçës, kultivimi i qepës përbën një nga aktivitetet kryesore bujqësore, por këtë vit fermerët janë përballur me një situatë tepër të vështirë. Prodhimi ka qenë i lartë, ndërsa kërkesa në treg shumë e ulët, çka ka sjellë rënie të ndjeshme të çmimit deri në 20 lekë për kilogram. Edhe me këtë çmim të ulët, tregu ka munguar, duke lënë një pjesë të madhe të prodhimit pa u shitur.

Si pasojë e mungesës së tregut dhe mundësive për shitje, shumë fermerë janë detyruar të hedhin qindra tonë qepë, duke pësuar humbje të mëdha ekonomike. Kjo situatë ka shkaktuar zhgënjim të madh, pasi puna dhe investimet e një viti të tërë nuk janë shpërblyer, duke vënë në rrezik vazhdimësinë e këtij aktiviteti për shumë familje.

Sa i përket subvencioneve, fermerët e zonës shprehen se nuk ka patur mbështetje. Ata theksojnë se skemat ekzistuese nuk mbulojnë realisht kostot e larta të prodhimit dhe shpesh janë të vështira për t’u përfituar. Për më tepër, rritja e çmimit të naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në shpenzimet për punimin e tokës.

Kjo situatë tregon qartë vështirësitë me të cilat përballen fermerët e qarkut juglindor çdo vit dhe nevojën urgjente për ndërhyrje, pasi rrezikohet që bujqësia në këtë zonë të shkojë drejt zhdukjes.