Mourinho drejt rikthimit te Reali? Perez synon ‘Special One’ për një epokë të re

E ardhmja e pankinës së Real Madridit mund të lidhet sërish me emrin e José Mourinho-s. Sipas raportimeve të fundit, presidenti Florentino Pérez e ka vendosur trajnerin portugez në krye të listës së preferencave për të nisur një cikël të ri në “Santiago Bernabéu”.

Pas një sezoni zhgënjyes, që pritet të mbyllet pa trofe për të dytin vit radhazi, drejtuesit madrilenë po kërkojnë një figurë të fortë për të rikthyer sukseset. Në LaLiga, Reali mbetet shumë prapa Barcelonës, ndërsa ndryshimet në pankinë nuk kanë dhënë efektin e dëshiruar. Fillimisht u besua te Xabi Alonso, i cili u largua në janar me marrëveshje, ndërsa pasuesi i tij, Álvaro Arbeloa, nuk arriti të menaxhonte skuadrën dhe ambientin.

Rikthimi i Mourinhos do të ishte një histori e njohur për tifozët madrilenë. Ai drejtoi Realin nga viti 2010 deri në 2013, duke fituar tri trofe, mes tyre edhe titullin kampion në sezonin 2011-‘12 me rekord pikësh. Objektivi kryesor në një rikthim të mundshëm do të ishte pa dyshim UEFA Champions League, trofeu që portugezi nuk arriti ta fitonte me klubin spanjoll.

Megjithatë, periudha e tij e parë nuk ishte pa polemika. Marrëdhënia e tensionuar me ish-kapitenin Iker Casillas dhe debatet e shumta në dhomat e zhveshjes lanë gjurmë. Edhe kohët e fundit, Mourinho ka qenë në qendër të kritikave për komentet mbi rastin e Vinícius Júnior, pas një ndeshjeje të UEFA Champions League.

Aktualisht, trajneri 63-vjeçar drejton Benfica-n, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2027. Megjithatë, një klauzolë lirimi prej rreth 3 milionë eurosh mund të hapë rrugën për një largim të shpejtë. Klubi portugez do të luajë ndeshjen e fundit të sezonit më 17 maj, ndaj Estoril, dhe pas kësaj date gjithçka mund të ndryshojë.

Nëse marrëveshja realizohet, rikthimi i Mourinhos në Madrid do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme të verës dhe një bast i madh i Perez për të rikthyer lavdinë në “Bernabéu”.