Jashari, në hije te Milani, nga ‘yll’ në Belgjikë, në opsion i tretë në mesfushën kuqezi

Ardon Jashari mbërriti te Milani me pritshmëri të mëdha, pasi vinte si lojtari më i mirë i kampionatit belg në sezonin e kaluar. Megjithatë, realiteti në “San Siro” ka qenë më i ndërlikuar për mesfushorin, i cili aktualisht konsiderohet zgjedhja e tretë në rolin e tij.

Pavarësisht investimit të rëndësishëm të verës së vitit 2025, rreth 36 milionë euro plus bonuse, Jashari nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari, duke mbetur pas emrave si Luka Modrić dhe Samuele Ricci. Situata e tij ka ngritur pikëpyetje për të ardhmen, madje nuk përjashtohet mundësia që të ndjekë rrugën e Charles De Ketelaere dhe të kërkojë një aventurë të re larg kuqezinjve.

Interes për të ka shfaqur Juventusi, por një transferim i mundshëm do të varet nga vlerësimi financiar, që aktualisht llogaritet rreth 30 milionë euro në bilancin e klubit.

Në momentin e prezantimit, Jashari kishte shprehur entuziazëm të madh për këtë hap në karrierë: “Ndjesitë janë të jashtëzakonshme. Milani është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe familjen time. Jam pritur shumë mirë dhe është nder i madh të vesh këtë fanellë. Historia e këtij klubi është e jashtëzakonshme, me shumë kampionë që kanë lënë gjurmë”.

Ai zbuloi gjithashtu idhullin e tij të fëmijërisë, Andrea Pirlo, duke shtuar se gjithmonë ka admiruar edhe Barcelona. “Kam qenë në ‘San Siro’ dhe mezi pres të luaj aty”, kishte deklaruar ai.

Sa i përket negociatave për transferimin nga Club Brugge, mesfushori theksoi rolin kyç të drejtuesve: “Ishte një proces i gjatë. Që nga kontaktet e para me Igli Taren, dëshira ime ishte e qartë. Ai më mbështeti gjithmonë. Falënderoj edhe Zlatan Ibrahimović-in për besimin. E dija që nuk ishte e lehtë të largohesha, por i kisha dhënë fjalën Milanit”.