Simeone, përpara Arsenalit: Bëjmë maksimumin, pastaj vendos Zoti
Në prag të përballjes së madhe ndaj Arsenalit, trajneri i Atlético Madridit, Diego Simeone, ka zgjedhur një qasje të përulur dhe realiste. Në ditën e tij të lindjes, tekniku argjentinas nuk foli për dëshira personale, por theksoi rëndësinë e ekuilibrit dhe stabilitetit në jetë.
‘Të ëndërrosh është bukur, por realiteti është ai që ndodh në fushë. Ne bëjmë pjesën tonë, pastaj ndodh ajo që do Zoti”, u shpreh ai.
Kthimi i madrilenëve mes katër më të mirëve të Europës pas nëntë vitesh nuk shihet si një barrë, por si një përgjegjësi e veçantë. Simeone e vuri theksin te disiplina dhe intensiteti, dy elementë që sipas tij janë thelbësorë për të përballuar një kundërshtar të fortë si Arsenali.
“Nuk kam kohë të mendoj për gjëra të tjera. Do të jetë një duel i fortë, i vendosur nga detajet dhe puna mbrojtëse që na ka sjellë deri këtu. Futbolli nuk i detyrohet askujt, gjithçka fitohet me luftë dhe me pak fat në anën tënde”, theksoi ai.
Duke folur për lojtarët, trajneri vlerësoi kontributin e Alexander Sørloth, të cilin e cilësoi vendimtar kur është në formën e tij më të mirë. Ndërkohë, Ademola Lookman mbetet në dyshim për shkak të një shqetësimi fizik.
Sa i përket së ardhmes së Julián Álvarez-it, që kërkohet nga klube të mëdha si Barcelona dhe Paris Saint-Germain, Simeone u shpreh: “Është normale që skuadra të tilla të interesohen për të, sepse po flasim për një lojtar të jashtëzakonshëm”.