Olise: Gjermania është vendi im ideal

Sulmuesi i Bayern Munich, Michael Olise, ka bërë një analizë të drejtpërdrejtë dhe interesante për diferencat mes Premier League dhe Bundesligës, duke theksuar se kalimi i tij në Gjermani ka qenë vendimi ideal për stilin e tij të lojës.

Në një intervistë për “Sky”, talenti francez nuk i kurseu fjalët kur përshkroi futbollin anglez si një ambient “kaosi të organizuar”, ku intensiteti fizik dhe ritmi i lartë dominojnë çdo aspekt të lojës.

Sipas tij, në Premier Ligë çdo prekje e topit shndërrohet në një duel të fortë, me presion konstant dhe pak hapësirë për të menduar.

Në kontrast, Olise e sheh Bundesligën si një kampionat më të hapur dhe më të strukturuar taktikisht.

Ai theksoi se në Gjermani loja është më e kontrolluar, me më shumë hapësira dhe mundësi për kreativitet, elemente që i përshtaten më shumë karakteristikave të tij si lojtar ofensiv.

“Është si dita me natën”, u shpreh ai, duke përmbledhur në mënyrë të qartë diferencën mes dy kampionateve elitare.

Për Olise, Premier Liga është më shumë reagim dhe instinkt, ndërsa Bundesliga kërkon mendim, pozicionim dhe menaxhim më të mirë të ritmit të lojës.

Ky reflektim vjen si një konfirmim se transferimi i tij te Bayern Munich nuk ishte thjesht një hap në karrierë, por një zgjedhje e menduar për të zhvilluar maksimalisht potencialin e tij në një ambient që i përshtatet më së miri.