Ekzekutimi i çiftit Mujeci në Balldre/ Gjendet një nga makinat e autorëve të vrasjes
Pas kontrolleve të ushtruara që nga dita e ngjarjes, efektivët e policisë kanë gjetur një nga mjetet e përdorura nga autorët për vrasjen e çiftit Mujeci, ngjarje e ndodhur mesditën e së dielës në Balldre. Sipas burimeve nga policia, mjeti tip “Golf”, pa targa, i përdorur nga autorët e dyshuar, është gjetur i fshehur në zonën e Torovicë. Policia dje, njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e dyshuar të ngjarjes.
Bëhet fjalë për shtetasit Renato Mhillaj, 23 vjeç, Adriano Mhillaj, 22 vjeç dhe Florin Mhillaj, 36 vjeç, djali, nipi dhe një i afërm i viktimës Genc Mhillaj nga Torovica, i vrarë në vitin 2016.
Ngjarja ndodhi ditën e diel, rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë.
Drejt makinës me të cilën lëvizte çifti i bashkëshortëve Gentjana Mujeci 32 vjeç dhe Kreshnik Mujeci 39 vjeç u qëllua me breshëri plumbash.
Si pasojë të dy humbën jetën në vendin e ngjarjes.
Një ditë më pas, policia njoftoi se ka identifikuar dhe shpallur në kërkim tre autorët e dyshuar të ngjarjes. Hakmarrja dyshohet se është shkaku i atentatit.