Përplasjet në PS/ Berisha: Ajo parti është lubizuar totalisht, janë në grahmat e fundit
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp këtë të martë ka deklaruar se Partia Socialiste është “totalisht e kriminalizuar” dhe “në grahmat e fundit”.
Duke komentuar edhe përplasjet e brendshme në PS, përfshirë një debat të raportuar në grupin parlamentar dhe qëndrimet ndaj deputetes Elisa Spiropali, Berisha tha se qeveria e drejtuar nga Edi Rama është “mburojë e krimeve dhe abuzimeve me fondet publike”.
Ai shtoi gjithashtu se situata politike në vend po shkon drejt ndryshimit, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një “regjim në fund të tij”.
FJALA E BERISHËS:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Desha një koment për përplasjet e brendshme në PS, të cilat duken se janë thelluar më tepër duke marrë parasysh atë që ndodhi dje në grupin parlamentar ku Edi Rama ka kërcënuar deri me përjashtim Elisa Spiropalin për shkak të postimeve në rrjetet sociale dhe mospjesëmarrjen e saj në votime?
Sali Berisha: Ajo parti sot është më shumë se kurrë parti krimi. Ajo parti është lubizuar totalisht.
Ajo parti sot është parti mburojë e krimeve monstruoze ndaj shqiptarëve, e vjedhjeve monstruoze që Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri dhe parlamentarët e tij i bëjnë fondeve dhe pasurisë publike.
Ky është komenti.
Partia dhe qeveria janë lubizuar përfundimisht. Janë në grahmat e fundit të një regjimi që bën gjithçka për t’u mbajtur në këmbë, por që shqiptarët kanë vendosur ta hedhin poshtë.