Orikum/ Ndërtohen mole në det me inerte, shqetësim për ndotjen dhe dëmtimin e vijës bregdetare
Shqetësime të shumta janë ngritur nga banorë dhe pushues në zonën bregdetare të Orikum, ku prej ditësh po konstatohet hedhja e inerteve në det për ndërtimin e moleve të reja.
Sipas informacioneve nga terreni, një kamion është parë duke shkarkuar materiale inerte pranë vijës bregdetare, ndërsa në disa segmente të kësaj zone janë krijuar struktura të reja që po avancojnë drejt detit. Banorët shprehen të shqetësuar për ndikimin që këto ndërhyrje mund të kenë në mjedis, ndotjen e ujërave dhe dëmtimin e ekosistemit detar.
Ajo që bie në sy është se përgjatë gjithë Radhimës, në vijim të projektit të zgjerimit të Lungomares, janë ndërtuar disa mole të ngjashme, çka ka sjellë ndryshime të dukshme në vijën natyrore të bregdetit.
Sipas burimeve lokale, këto ndërhyrje lidhen me projekte të inxhinierit Elis Halili, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse mbi lejet mjedisore apo ndikimin që kanë këto punime.