Fytyra e Ilir Metës ishte dhimbje, ishte dhunë, ishte hakmarrje - nuk ishte prag për në BE

Dhimbje...

Nga Ylli Dylgjeri/

Edhe fytyra e Ilir Metës, edhe gjuha e trupit në paraburgim nuk tregonte sot "arritjet" e kapitujve për të hapur negociatat e Shqipërisë në BE.
Dostojevski na thotë: "Për të gjykuar shkallën e qytetërimit të një shteti, duhen parë burgjet e tij nga brenda".
Punët në vite më kanë bërë t’i shoh burgjet edhe nga brenda. T’i shoh në Shqipëri, t’i shoh në Europë, t’i shoh në Hong Kong, t’i shoh në Kanada.

Në Danimarkë, p.sh., në një burg në Roskilde kishte vetëm 3 të burgosur. Punonin në torno. Bënin tapa vere dhe, kur tejkalonin prodhimin, u uleshin ditët e dënimit. Ushqimi i tyre ishte emocionues. Gardiani më sqaroi se njëri prej tyre ishte vegjetarian dhe ky i blinte çdo ditë peshk e prodhime deti me perime... Ilir Meta, sipas deklarimit të Komitetit për të Drejtat e Njeriut, konsumonte ushqimin që i vinte nga familja 1 herë në javë për 7 ditë! Nuk pranonte ushqimin e burgut...

Në Hong Kong, dhomat e paraburgimit ishin në katin e 30-të të gradaçielës ku kryente shërbimin Drejtoria e Policisë.
Kur e pyeta gardianin shoqërues: pse i burgosni sa më lart, ndryshe nga ne që i burgosnim sa më poshtë, më thotë: qelia ka një dritare të vogël. Te kjo dritare i dënuari duhet të shohë se si rritet e zhvillohet çdo ditë Hong Kongu, edhe pse vodhi i dënuari! Ky është edukim. Filozofi kineze.

Në Berry, qytezë afër Torontos në Kanada, ku kryeja një trajnim, një ditë përpara një Walmart-i pashë një të dënuar që kishte vjedhur aty dhe rrinte në këmbë. Dënimi i gjykatës së Walmart-it ishte me 3 alternativa që i përzgjidhte vetë i dënuari.
Ky që pashë kishte zgjedhur alternativën të qëndronte 20 ditë, nga 3 orë, përpara supermarketit me një tabelë në qafë: Unë jam hajdut... dhe nuk bënte izolim në burg.

Kjo është bota e civilizuar që pashë unë. Fytyra e Ilir Metës sot ishte dhimbje, ishte dhunë, ishte hakmarrje. Fytyra e Ilir Metës sot ishte mjerim, nuk ishte prag për në BE.