Vrasja në Balldren/ Një nga autorët kërkohej edhe për kanosje me armë në Shkodër
Detaje të reja kanë dalë lidhur me një nga autorët e dyshuar të vrasjes së dyfishtë në Balldren të Lezhës. Adriano Mhillaj, 22 vjeç, i shpallur në kërkim për atentatin ku u ekzekutua çifti Mujeci, rezulton se ishte në kërkim nga Policia e Shkodrës që prej 16 janarit 2026, për veprat penale “kanosje me armë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja e mëparshme ka ndodhur në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vinotekës” në Shkodër, ku pas një konflikti, Mhillaj dyshohet se ka kanosur me armë shtetasin Eduard Kësalla. Ky i fundit, sipas hetimeve, është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe më pas është shpallur në kërkim për “vrasje në tentativë” dhe armëmbajtje pa leje.
Rreth tre javë më parë, Kësalla u arrestua në zonën e Freskut në Tiranë, gjatë një operacioni policor të koduar “Operacionalja 89”. Ndërkohë, Adriano Mhillaj vijon të jetë në arrati dhe nuk është lokalizuar ende nga strukturat e policisë.
Hetimet kanë nxjerrë gjithashtu dyshime se automjeti tip “Audi A4”, i përdorur në atentatin ndaj çiftit Mujeci në Balldren, mund të jetë i njëjti që është përdorur edhe në përplasjen me armë të ndodhur në janar mes Mhillajt dhe Kësallës.
Të dy personat, Adriano Mhillaj dhe Eduard Kësalla, janë banorë të fshatit Grudë e Re, në Shkodër, ndërsa policia vijon kërkimet intensive për kapjen e 22-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.