Burimi: Rama ndjek 'manualin' e Vuçiçit, Shqipëria 'kalë Troje' për BE-në...
Një kthesë në diskursin e kryeministrit Edi Rama ka ngjallur sërish debate, teksa duket se politika e jashtme shqiptare po lundron në ujëra të paqarta, pa një port të sigurt për të ankoruar interesat kombëtare.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri tv analisti Genc Burimi tha se “vihet re një afrim deri në njësim i narrativës së kryeministrit Rama me atë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç”. Ky paralelizëm bëhet evident në disa raste kyçe. Ndryshe nga Mali i Zi, i cili u shkëput qartësisht nga Serbia në çështjet e integrimit, Rama dhe Vuçiç bashkëfirmosën një qëndrim të përbashkët kundër Bashkimit Evropian, duke përcjellë mesazhin "o të dy bashkë, o asnjëri". Ngjashmëria shtrihet edhe në raport me Rusinë; ashtu si Vuçiç, i cili historikisht ka luajtur me dy porta, Brukselin dhe Moskën, edhe Rama tashmë i del në krah idesë së negocimit me Vladimir Putinin.
Ky qëndrim krijon një kontradiktë të thellë me deklaratat e mëparshme të kryeministrit, i cili përjashton kategorikisht çdo lloj komunikimi me regjimin e Iranit, duke e cilësuar si terrorist. Mbetet e paqartë se mbi çfarë kriteresh bazohet ky dallim selektiv mes aktorëve ndërkombëtarë, duke lënë hapësirë për interpretime mbi qëndrueshmërinë e politikës së jashtme shqiptare.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri analisti Burimi, tha se, “disa arsye mund të qëndrojnë pas kësaj strategjie”. Një mundësi është tërheqja e vëmendjes mediatike ndërkombëtare, një lëvizje që ushqen atë që përshkruhet si "narcizizmi" politik i Ramës, pavarësisht se komentet në shtypin e huaj shpesh janë kritike. Një tjetër arsye mund të jetë krijimi i një alibie për një dështim të mundshëm në procesin e integrimit. Duke e ditur marrëdhënien e vështirësuar me Brukselin, sidomos pas çështjeve që lidhen me shtetin e së drejtës, Rama mund të pretendojë më vonë se Shqipëria u "dënua" për shkak të guximit të tij për të shprehur lirisht mendimin. Një hipotezë e tretë është se kryeministri po i paraprin një ndryshimi të ekuilibrave politikë në Evropë, duke parashikuar një rritje të së djathtës ekstreme në vende si Franca dhe Gjermania, dhe duke kërkuar të fitojë simpatinë e tyre.
Pavarësisht motiveve, fakti është se ky diskurs e largon Shqipërinë edhe më tej nga politika e përbashkët e jashtme e Bashkimit Evropian. Në një kohë kur Evropa shpreh një frikë të hapur ndaj integrimit të vendeve që mund të shërbejnë si "kalë Troje", Rama po e pozicionon Shqipërinë si një aktor potencialisht bllokues, sidomos në dosjen sensitive të Ukrainës. Kjo retorikë provokuese rrezikon ta izolojë vendin dhe të minojë seriozisht rrugëtimin e tij evropian, tha analisti Genc Burimi.
Flavio Qarri: Ç'është kjo kthesë tani e papritur, edhe mund të jetë po e shpeshtë në fakt në vitin e fundit për kryeministrin i cili duket se nuk po gjen portin ku të ankorojë interesat shqiptare.
Genc Burimi: Për të ardhur te këto arsyet se ka shumë pikëpyetje, pse, mund t'i analizojmë. Po në radhë të parë njëherë doja të vija theksin tek, qysh, si? Ajo që të bie në sy, vërtet po të marrim pak distancë nga faktet, është, afrimi deri në njësim i narrativës së Ramës me atë të Vuçiçit. Kjo bie në sy. Mali i Zi për shembull, u shkëput komplet e injoroi Serbinë në çështjet e integrimit. Edi Rama bashkë me Vuçiçin bashkëfirmosën një dokument, një tekst, ndaj Europës, o të dy bashkë, o të shkojë asnjëri. Po ashtu dhe me Rusinë. Vuçiç gjithmonë ka luajtur me dy porta, edhe me Brukselin edhe me Moskën. Mund ta shohim, mund ta rishohim sërish prapë pas pak ditësh në paradën që do të bëhet para Kremlinit për fitoren mbi nazizmin, më 9 maj. Ja ku Edi Rama po ashtu si Vuçiç, edhe ai i del në krah Putinit duke thënë që mund të negociohet fare mirë me Putinin, ndërkohë që në elementët gjuhësorë të Ramës, ai përjashton çdo lloj komunikimi me terroristët. E ka fjalën për Iranin. Nuk e di ku e sheh Rama dallimin midis terrorizmit iranian dhe atij rus. Kjo është çështje e tij, po kjo është në pamje të parë, mua kjo më bën përshtypje , ky afrim gjuhësor Rama-Vuçiç.
Tani, te arsyet. Me me Ramën janë të shumta, s'mund t'i, s'mund të privilegjosh njërën dhe të lësh të tjerat pa i patur vetë në një intervistë më të detajuar. Mund të jetë tërheqja e vëmendjes. Që t'i bëj tash, shakaja me Trumpin që e tallte përballë, Diella. Kjo tani që të negociojë Europa me Putinin. Në këto raste gjithmonë janë, si të thuash, fjalira, janë, janë fjalë të cilat bëhen objekt artikujsh në mbarë botën. Ndonëse shpesh, nëse marr shtypin francez, komentet janë të llahtarshme, domethënë, ku doli ky, nga doli ky t'i japë mend Europës. Por mbase ky është qëllimi, pikërisht të tërheqë pak a shumë dritën drejt tij, projektorët, sepse kjo e përkëdhel narcizmin e Ramës. Kjo është një arsye.
Arsyeja tjetër mund të jetë që ëh, Rama, duke e ditur që i ka punët keq me Europën, duke e ditur që, u dënua nëpërmjet IBAR-it, pra mos miratimit të kapitujve që lidhen me shtetin e të drejtës, Rama rrezikon integrimin. Shton këtë element ndaj Europës, që më vonë për ta patur si alibi, ngaqë nuk na pranuan, meqënëse, neve shqiptarët, pra qeveria shqiptare, unë Edi Rama, guxova të kisha lirinë e fjalës dhe mendimit, prandaj dhe u dënuam. Mund të jetë dhe kjo një arsye. Siç e menduam atëherë që kur u tall me Trumpin, që kishte si synim që t'i thoshte Europës, shiko, Trumpi po më diskriminon ngaqë je tallur. Tjetër arsye mund të jetë që Rama e ndjek fare mirë sondazhet ç'po ndodh në Europë. E di që vitin e ardhshëm me 99% të gjasave është ekstremi i djathtë që udhëheq Francën. Po ashtu në Gjermani, ekstremi i djathtë po përparon fuqishëm. Mbase Rama me këtë që tha kërkon t'i bëhet simpatik ekstremit të djathtë në Europë. Ta ketë më mirë me ata. Sepse shpesh, edhe një herë, në artikujt që u botuan në Francë, vura re në komente që ata që votojnë për Le Pen-in e quanin atë që tha Rama diçka të drejtë. Pra janë arsye të shumëllojta. Po fakti është që ky është një, një provokim i radhës, kjo që bëri, e largon edhe më shumë Ramën nga politika e jashtme europiane.
Në momentin kur Europa ka shprehur një frikë evidente ndaj integrimit të “kalit të Trojës”. Dhe Rama po tregon që një organ i vogël dhe një organ i lirë mund të vijë në Europë me mua, Shqipërinë, që mund ta bllokojë Europën në dosjen ukrainase. Pra, ky është, si të thuash, rezultati. Fjalimi i Ramës e largon edhe më shumë Shqipërinë nga Europa...