Kërcënoi BE me Rusinë, Bytyçi: Rama si Enveri… ka interes për të ruajtur pushtetin e tij kriminal në Shqipëri
Deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama sinjalizojnë një ndryshim rrënjësor dhe tejet kontrovers në politikën e jashtme të Shqipërisë. Nga një zë i fortë kundër agresionit rus dhe mbështetës i palëkundur i Perëndimit, shefi i qeverisë ka adoptuar një retorikë sfiduese ndaj Bashkimit Evropian, duke shkaktuar debate dhe analiza mbi motivet e vërteta pas kësaj kthese.
Sipas analistit Enver Bytyçi i cili ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv , ky ndryshim kursi shoqërohet me një gjuhë që evokon praktika autoritare. Shprehja e përdorur nga kryeministri, "o me ne, o kundër nesh", cilësohet si "sentenca e të gjitha diktaturave". Kjo retorikë, sipas Bytyçit, nuk kufizohet vetëm në arenën politike, por dyshohet se përdoret edhe në prapaskenë ndaj aktorëve të rëndësishëm të biznesit, si një formë presioni për të siguruar bindje të plotë. Ky fenomen shihet si një përpjekje për të shtrirë kontrollin në çdo segment të shoqërisë, me qëllim vendosjen e një "diktature të plotë".
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Bytyçi tha se “në arenën ndërkombëtare, lëvizjet e kryeministrit përshkruhen si kameleonike dhe të diktuara nga pragmatizmi për të mbijetuar politikisht”.
Flavio Qarri: Duket se çdo javë kryeministri ynë ka gjetur një devizë të re diplomatike. Këtë javë i jepte mend Evropës për të komunikuar me Putinin. Nga ana tjetër, në lëmin e diplomacisë, Shqipëria vazhdon të lërë nam, siç ishte rasti i ministrit tonë të jashtëm Ferit Hoxha dhe etiketimit si idiot të shqiptarëve të liderëve të Maqedonisë së Veriut. Çfarë po ndodh me kryeministrin i cili tanimë, pas fëmijës së llastuar të Bashkimit Evropian me goxha kosto për Shqipërinë dhe për mungesën e rotacionit, tek ne është rikthyer si një kritik i BE-së?
Enver Bytyçi: Ditën e djeshme ne u ballafaquam me një term të ri të cilin e dinim, e njihnim, por që flitej në prapaskenë dhe jo publikisht. O me ne, o përballë nesh. Ose… o me ne, o kundër nesh. Është sentenca e të gjitha diktaturave kjo fjali që ju artikulua në rastin konkret si përgjigje ndaj Sali Berishës nga ana e kryeministrit të Shqipërisë. Në, për diktatorët dhe për diktaturat nuk ka neutralitet, nuk ka indiferentizëm. Ka ose kundërshtarë, ose anti, ose pro. I tillë u shfaq përfundimisht kryeministri i Shqipërisë. Në fakt, ai ka thirrur në zyrën e tij edhe biznesmenë të fuqishëm, të cilëve u ka artikuluar të njëjtën sentencë, duke u thënë se dëshiron të punosh me ne apo të jesh përballë nesh. Që do të thotë se po bën një presion të jashtëzakonshëm jo vetëm mbi politikën dhe jo vetëm mbi anëtarët e partisë së tij, por edhe tek biznesi dhe segmente të tjera të shoqërisë shqiptare, me qëllim që të vendosë një diktaturë të plotë në të gjitha aspektet, madje edhe në aspektin kulturor. Dhe kur ndërhyrja e shtetit në kulturë bëhet fakt, atëherë diktatura është përfundimisht e vendosur. Në këtë kuptim do të thosha që zoti Rama tani po përpiqet që të mbajë një qëndrim të ashpër, të fortë, në pikëpamjet e politikës së brendshme, por e cila u shpreh edhe ditën e djeshme me “kafazin”, ku ishte futur ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Por në aspektin e marrëdhënieve me jashtë, ai po ndjek sërish të njëjtat metoda siç kishte ndjekur dikur paraardhësi i tij, diktatori Hoxha, me fuqitë e mëdha. Ndërkohë që para tre vitesh ose dy vitesh e ca në Këshillin e Sigurimit, Edi Rama mori pozat dhe rolin e Enver Hoxhës në vitin 1960 kundër Hrushovit, duke u shfaqur në Këshillin e Sigurimit me tone të ashpra kundër Rusisë dhe kundër ambasadorit rus aty, duke ftuar presidentin Zelenski në Këshillin e Sigurimit për të folur.
Pas pak vitesh, pas dy-tre vitesh, ai shfaqet krejt ndryshe. Përkundrazi, ai kërkon t'i imponohet Evropës dhe Ukrainës nëpërmjet një qasje të re, qasje të cilën e ka sot administrata e presidentit Donald Trump. Kjo do të thotë se sa herë ndërrojnë presidentët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Shqipërisë do të marrë ngjyrën dhe pamjen e tij të ndryshme nga ajo e para, me qëllim që të sigurojë përkrahjen e tij në pushtetin që ushtron në Shqipëri. Atëherë ishte administrata Biden dhe Edi Rama, duke parë qëndrimin e kësaj administrate të ashpër kundër Rusisë, mbante po të njëjtin qëndrim në Këshillin e Sigurimit. Ndërsa sot, duke parë një qëndrim tjetër të administratës Trump kundër për çështjet e luftës dhe të agresionit rus në Ukrainë, mban një qëndrim të përshtatshëm për këtë administratë. Kjo do të thotë se ai përshtatet në qëndrimet e veta në marrëdhëniet me jashtë në raport me interesin që ka për të ruajtur dhe për të vazhduar pushtetin e tij kriminal në Shqipëri. Sigurisht që në këtë rast ai, në deklaratën e tij në Athinë, a i është kundërvënë politikave evropiane, por i është kundërvënë dhe politikave të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilin së paku dy herë e ka pritur në Tiranë dhe me të cilin është shfaqur, në një solidaritet të jashtëzakonshëm. Tani u mbaroi edhe koha e mjaltit me Zelenskyn me sa duket, po ashtu edhe me Evropën. Kjo do të thotë se pozita e tij në Bashkimin Evropian është dobësuar shumë. Kjo do të thotë se zoti Rama po kërcënon madje Bashkimin Evropian duke u thënë atyre se nëse ju nuk merreni vesh për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, atëherë ne kemi një rrugë tjetër të integrimit ose të aleancave, siç është Rusia. Mos harrojmë se edhe kjo alternativë shtrohet tek Edi Rama nëse bëhet fjalë për ruajtjen e pushtetit të tij. Kushdo që në këtë botë, në këtë rruzull tokësor, do të dalë garant i pushtetit të tij, ai do të bëhet me të. Ashtu siç u bë Enver Hoxha herë me jugosllavët dhe serbët, herën tjetër me sovjetikët dhe në fund me kinezët. E njëjta gjë po ndodh edhe me me Edi Ramën.