Do akuzohet për tentativën e vrasjes së Trump, ja armët që Allen kishte me vete gjatë sulmit
Gjatë konferencës për shtyp të Departamenti i Drejtësisë i SHBA, zyrtarët paraqitën tre fotografi me armë zjarri pushkë gjahu, thika dhe sende të tjera që dyshohet se posedonte Cole Tomas Allen në hotel.
Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche tregoi foton e armës që Allen përdori gjatë të shtënave.
Ai shtoi se, nga sa kuptohet, gëzhoja ndodhej ende brenda armës, çka do të thotë se ajo është përdorur vetëm një herë dhe nuk është rimbushur.
Sipas autoriteteve, Allen përballet me akuzën për tentativë vrasjeje ndaj presidentit amerikan Donald Trump. Gjatë seancës, gjykatësi paralajmëroi se, nëse shpallet fajtor, Allen mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Darka
Presidenti amerikan Donald Trump, bashkëshortja e tij Melania Trump dhe anëtarë të qeverisë amerikane u detyruan të evakuoheshin nën masa sigurie gjatë darkës tradicionale të korrespondentëve dhe gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë më 26 prill. Pak pasi kishte nisur mbrëmja u dëgjuan të shtëna pranë pikës së kontrollit të sigurisë në hotel.
Një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së u qëllua, por jeleku antiplumb i shpëtoi jetën.