Kosovë/ Feride Rushiti merr 63 vota, seanca për presidentin vazhdon nesër, opozita e bojkoton

Seanca për zgjedhjen e presidentit/es së Kosovës është shtyrë për nesër 28 prill, në orën 10:00.  Në seancën e jashtëzakonshme e nisur sot në orën 20:30 Kuvendi i Kosovës që përbëhej vetëm nga deputetët e partisë në pushtet, pa Haxhi Avdylin, votoi për dy kandidatët për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Në raundin e parë Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa kandidatja Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë seancë edhe pse kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në vazhdimësi iu bëri thirrje deputetëve të grupeve tjera parlamentare që t’i bashkohen kësaj seance. Haxhiu madje me të nisur seanca deklaroi se kanë informacione që ata gjenden në zyrat e tyre brenda ambientit të Kuvendit të Kosovës.

IDK: S'u përmbush kuorumi

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik të Kosovës tha se në seancën e sotme ka pasur shkelje kushtetuese, pasi raundi i parë i votimit për dy kandidatet për president u zhvillua pa u verifikuar paraprakisht pjesëmarrja e deputetëve në seancën plenare.

Një verifikim i tillë, kujtoi ai, ishte bërë gjatë seancës së 5 marsit, ku për shkak të mungesës së kuorumit emrat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut – të propozuarit nga LVV-ja – nuk u hodhën fare në votim.

“Çdo përpjekje nesër për të vazhduar me runde të tjera pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues”, shkroi ai në Facebook.

Seanca e pasdites

Kësaj seance i parapriu një tjetër në orën 17:00 e cila u ftua vetëm për të diskutuar për çështjen e presidentit e ku tërhoqën kandidaturat e tyre për këtë pozitë, zëvendëskryeministri aktual Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. As në këtë seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.

E gjatë kësaj seance, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se opozita e ka bojkotuar procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe se sipas tij kjo mund të kuptohet vetëm si mosrespektim i verdiktit të popullit.

Sipas Kurtit, nuk qëndron as arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat kyçe të udhëheqjes së shtetit sepse ai thotë se opozitës ia ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.

Kryeministri Kurti akuzoi se ka koalicione paszgjedhore të cilat nuk po deklarohen por që është arsye e madhe e kësaj bllokade. Kurti deklaroi se qëllim kanë ta dëmtojnë LVV-në.

Por, sipas zv.kryeministrit Glauk Konjufca, partitë opozitare e dinë që nuk mund t’i marrin 50% të votave në zgjedhjet e ardhshme në rast se vendi i nënshtrohet në këtë periudhë këtij procesi.

Ndonëse opozita nuk mori pjesë në këtë seancë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi nga partia në pushtet që të tregojë se a i ka 66 vota për Vjosa Osmanin si kandidate për presidente. Sipas Kica-Xhelilit, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar propozim jo partiak dhe këtë ia ofroi LDK-ja përmes Osmanit si kandidate.

Seanca e dytë e cila u ftua për në orën 20:30, nga Partia Demokratike e Kosovës u quajt joserioze pasi deklaruan se ftesën e pranuan pak minuta para se të fillojë seanca.

Gjithsesi, seanca e radhës për zgjedhjen e presidentit është më 28 prill me fillim në orën 10:00.

Nesër skadon afati

Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.