Nis votimi për dy kandidatet për presidente të Kosovës, opozita bojkoton seancën
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për nisjen e votimit për dy kandidatet për presidente të Kosovës: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Megjithatë, në sallë janë të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare dhe ato të opozitës po i bojkotojnë punimet.
Votimi nisi pasi Komisioni për legjislacion shqyrtoi dokumentacionin e dy kandidateve për president e konstatoi se ato mund të hidhen në votim.
Votimi për president bëhet me votim të fshehtë. Në raundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave, ndërkaq në raundin e tretë kërkohen 61 vota për president.
Nëse nuk marrin votat e nevojshme, shpërndahet Kuvendi dhe vendi shkon në zgjedhje.
Në sallë vazhdojnë të jenë 64 deputetë gjithsej, teksa partitë opozitare mungojnë që nga fillimi i seancës.
Reagon PDK
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se LVV-ja po tenton që të prodhojë “artificialisht fajtorë të paqenë” për një proces, që sipas tij, vetë Qeveria është përgjegjëse.
“Paramendo, i ka pasur 75 ditë që nga seanca e parë konstituive për të gjetur konsensus për një emër të presidentit”, shkroi ai në Facebook.