Seanca e jashtëzakonshme/ LVV prezanton 2 kandidaturat për presidente, mungon opozita

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, shpalosi para deputetëve biografinë e Feride Rushitit, drejtoreshës së Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

“Ajo kontribuoi në thyerjen e heshtjes, luftimin e stigmës dhe ndryshimin e perceptimit shoqëror ndaj viktimave të dhunës seksuale”, tha Nagavci për punën e Rushitit.

Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit, kujtoi Nagavci.

Rushiti, dhe së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, shtoi ajo.

Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu propozoi kandidaten e dytë për Presidente, Hatixhe Hoxha.

Ndër tjera, ai tha se Hoxha ka kontribuar në punë që ndihmuan persona me aftësi të kufizuara.
 

“Kontributi i saj në periudhat e ndërtimit të institucioneve të vendit e bëjnë atë një kandidate të denjë në këtë pozitë. Lidershipi i saj do të kontribuojë në përfaqësimin dinjitoz të Kosovës brenda dhe jashtë vendit”, tha Aliu.

Më pas me kërkesë të kryeparlamentares Haxhiu, Komisioni për legjislacion nisi mbledhjen për të shqyrtuar nëse dy kandidatet plotësojnë kushtet për të kandiduar për presidente të Kosovës. 

Kujtojmë se deputetët e opozitës mungojnë në këtë seancë të jashtëzakonshme. Kryeparlamentarja Haxhiu fton secilin deputet veç e veç që të  shkojë në seancën e jashtëzakonshme.

Seanca
Deputetët e LVV-së kanë thirrur seancë për mbrëmjen e së hënës për votimin e presidentit, pasi paraprakisht debatuan për këtë çështje, pa praninë e opozitës.  Partia e kryeministrit Albin Kurti ka propozuar dy kandidate të reja për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.