Do akuzohet për tentativën e vrasjes së presidentit Trump, studenti përballet me burgim të përjetshëm
Cole Allen, 31 vjeç, i akuzuar për të shtënat gjatë darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, më 26 prill, është paraqitur sot para gjykatës.
Sipas autoriteteve, ai përballet me akuzën për tentativë vrasjeje ndaj presidentit amerikan Donald Trump. Gjatë seancës, gjykatësi paralajmëroi se, nëse shpallet fajtor, Allen mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Prokuroria ka ngritur edhe disa akuza të tjera serioze, përfshirë përdorimin e armës së zjarrit gjatë një krimi të dhunshëm, si dhe transportimin e armëve dhe municioneve ndërmjet shteteve me qëllim kryerjen e një vepre penale.
Sipas policisë, 31-vjeçari nga Torrance, Kaliforni, u ndalua i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika.
Autoritetet bëjnë me dije se ai nuk kishte precedentë penalë dhe nuk kishte qenë më parë në vëmendjen e organeve ligjzbatuese.
I pandehuri ndodhet aktualisht në paraburgim dhe ende nuk ka deklaruar nëse e pranon fajësinë.
Një seancë për shqyrtimin e masës së sigurisë është caktuar për të enjten, ndërsa seanca paraprake pritet të mbahet më 11 maj.