Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura! LVV: Deri në përfundim të afatit angazhohemi të zgjedhim presidentin

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme në Kosovë, tha se partia e saj do të bëjë deri në fund përpjekje “për të shmangur zgjedhjet”.

“Deri në përfundim të afatit do të angazhohemi dhe shpresojmë që vendi të bëhet me president”, tha Nagavci duke e vlerësuar si hap drejt shmangies së zgjedhjeve tërheqjen e dy kandidaturave të LVV-së.

Ndërkohë Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president u tërhoq zyrtarisht nga kandidatura. Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja. Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme.

Konjufca akuza opozitës

Nga foltorja e Kuvendit, Konjufca akuzoi partitë opozitare se përmes pamundësimit të kuorumit për presidentin, po dëshiron që ta rrëzojë Qeverinë Kurti 3, të formuar katër muaj më parë.

Megjithatë, ai tha se sot, ose sipas disa interpretimeve “edhe nesër” deputetët kanë afat që të zgjedhin presidentin.

“Kjo Qeveri po dëshirojnë të rrëzohet përmes presidentit”, tha Konjufca.

Kuvendi i Kosovës zhvilloi pasditen e sotme seancë për "diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës" por partitë opozitare e bojkotuan. Seanca e sotme për çështjen e presidentit të ri u mbajt një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e tij. Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nëse deputetët s’arrijnë të zgjedhin presidentin deri më 28 prill, vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.