Kardinali shqiptar Ernest Simoni takohet me Papa Leonen – Zbulon dhuratën e veçantë që i dha

Kardinali 97-vjeçar shqiptar, Ernest Simoni është takuar me Papa Leoni në Vatikan, së bashku me disa anëtarë të familjes së tij.

 "Le të shpallim së bashku për të gjithë popujt e botës paqen që vjen nga Qielli", ishte ky mesazhi që Kardinali Simoni dha për mediat, pas lutjes së mëngjesit me kreun e Vatikanit.

Don Davide Djudjaj - Qyteti i Vatikanit

"Gjithë gëzim, gjithë shpresë." Kështu e përshkroi audiencën e mëngjesit të sotëm me Papën Leo XIV, më 27 prill, kardinali 97-vjeçar shqiptar Ernest Simoni, i persekutuar në vendin e tij gjatë regjimit komunist. Përveç kardinalit, rreth dyzet anëtarë të familjes së tij ishin gjithashtu të pranishëm në Sallën e Papëve. "Ishte një atmosferë gjithë gëzimi, gjithë shprese, duke parë fytyrën e Atit të Shenjtë - që përfaqëson fytyrën e Jezusit - për t'u shpallur të gjithë njerëzve lajmin e Qiellit, të paqes, të vëllazërisë dhe të dashurisë për të gjithë popujt e botës", tha Simoni për mediat e Vatikanit pas audiencës me Papën.

"Martir i Gjallë"

Që më 5 prill të kaluar, të dielën e Pashkëve, kardinali shqiptar ishte me Kardinalin Protodiakon Dominique Mamberti, përkrah Leo XIV gjatë mesazhit dhe bekimit Urbi et Orbi nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit. Një prift i Kryedioqezës së Shkodrës-Pultit, kardinali - i cili festoi 70-vjetorin e shugurimit të tij priftëror më 7 prill - vuajti persekutim në Shqipëri. I arrestuar në Krishtlindjet e vitit 1963, ai u dënua fillimisht me vdekje dhe më pas me punë të detyruar në kanalizimet e Shkodrës, duke ushtruar më pas shërbesën e tij në mënyrë klandestine deri në rënien e regjimit komunist. Papa Françesku e kishte dëgjuar dëshminë e tij gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në shtator 2014, dukshëm i prekur deri në lot nga fjalët e këtij prifti, të cilin ai gjithmonë e ka quajtur një "martir të gjallë". Në vitin 2016, Françesku e shpalli atë kardinal, duke e falënderuar për këtë dëshmi, "e cila i bën mirë Kishës".

Takimi me Papën, një nder

Sot, pra, audienca me Papa Leon: "Ishte sigurisht një hir i veçantë që më është dhënë nga Shpirti i Shenjtë", thotë Simoni, "dhe gjithashtu nga Ati i Shenjtë, për të shpallur së bashku, për të gjithë popujt e botës, paqen që vjen nga Qielli, paqen më të ëmbël, gëzimin shpirtëror dhe gëzimin e ringjalljes. Dhe gjithçka është këtu: besimi, me ringjalljen, do të ketë lumturinë e përjetshme që Jezusi përgatiti duke derdhur gjithë gjakun e tij për të gjithë njerëzit e botës dhe të të gjitha epokave".

Dhurata

Kardinali—i cili, pavarësisht moshës së tij, ka jetuar në Firence për disa vite dhe vazhdon të udhëtojë nëpër botë—i dhuroi Papës në fund të audiencës një dhuratë të veçantë: "Duke ardhur në Itali nga Shqipëria, mendimet e mia janë me martirët", dhe Simoni më pas i dhuroi "kryqin dhe një relike të martirëve shqiptarë që dhanë jetën e tyre për besnikëri, për dashurinë e Jezusit, për shpëtimin e popullit shqiptar, për të parë të gjithë njerëzit të buzëqeshin në Parajsë"./ Vatican News.