Konjufca: Po shfrytëzohet çështja e presidentit për të çuar vendin në zgjedhje të reja
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për çështjen e presidentit të ri të vendit, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e tij. Në rend dite: "Diskutim lidhur me zgjedhjen" e kreut të shtetit. LVV-ja në pushtet u ka kërkuar partive opozitare, PDK dhe LDK, që të paraqesin tre emra jopartiakë për president.
Në foltore Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se bllokada e grupeve të partive opozitare na çojnë në zgjedhjet të reja.
Sipas tij, tani jemi në krizën e tretë që lidhet me bashkimin e partive opozitare, ku po shfrytëzohet çështja e zgjedhjes së presidentit për të çuar vendin në zgjedhje të reja.
Ai tha se kjo qeveri po synohet të rrëzohet me çështjen e presidentit. Konjufca vlerësoi se opozita ka mundur të bëjë qeverinë në vitin e kaluar, duke shtuar se opozita mund të ketë president, por nuk po duan.
Ndërkohë nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, tha se Kosova ndodhet përballë një testi të pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë.
“Kjo nuk është koha për çfarëdo kalkulimesh, as hapësirë për partitë politike që të mbledhin pikë politike parazgjedhore”, tha Rexhepi.
“Çdo shtyrje, çdo pengesë dhe çdo tërheqje taktike e ka çmimin e vet. Këtë çmim do ta paguajnë partitë politike në zgjedhje, por mbi të gjitha do ta paguajnë qytetarët tanë, si dhe kredibiliteti ndërkombëtar i shtetit tonë në tërësi”, shtoi ajo.
Ajo shtoi se nëse sot nuk dëshmohet pjekuri politike dhe përgjegjësi institucionale, “rrezikojmë të hyjmë në një cikël të paqëndrueshmërisë së madhe”.