SYRI TV/ Nis gjyqi në GJKKO, Meta del publikisht pas 18 muajsh në burg: Proces i turpshëm me shpifje
Nis në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjyqi ndaj Ilir Metës. Me një pjesë të lejuar të seancës me kamera, kreu i Partisë së Lirisë shfaqet pas 18 muajsh burg në kafazin e blinduar të gjykatës, nga ku hodhi akuza të forta për një proces të montuar politik dhe akuzoi SPAK-un se nuk heton aferën “Rama-McGonigal”. Ndërkohë, avokati i tij, Kujtim Cakrani, kërkoi që gjyqi të transmetohet live dhe Meta të mos qëndrojë në kafazin e gjykatës. Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi theksoi se Meta ndodhet në burg si shpagim i klasës politike, si dhe tregoi pse duhej të ishte edhe Edi Rama pjesë e këtij procesi. Ndërsa Tedi Blushi kërkoi që gjyqi të jetë transparent.
Syri Tv
Me dy gishtat lart dhe duke bërë simbolin e shqiponjës me duar, Ilir Meta shfaqet publikisht pas një viti e ca në burg, teksa hyri në kafazin prej qelqi të Gjykatës së Posaçme. Në gjyqin e themelit ndaj tij, ai iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “Shqipëria e shqiptarëve”.
Ndërsa gjykata pranoi që mediat të regjistronin dhe transmetonin seancën deri në legjitimimin e palëve, Meta e shfrytëzoi këtë kohë për të bërë një deklaratë të shkurtër, ku hodhi akuza të forta për një proces të montuar politik dhe akuzoi SPAK-un se nuk heton aferën “Rama-McGonigal”.
Që në fillim, seanca nisi me tensione, pasi Kujtim Cakrani, i cili mbron Metën, kërkoi daljen nga kafazi i qelqtë të të pandehurit dhe vendosjen e tij krah mbrojtjes, teksa hodhi akuza të rënda ndaj gjykatës dhe SPAK-ut për trajtimin e pabarabartë të të burgosurit, duke deklaruar se vetëm ISIS vepron në këtë mënyrë, duke fyer publikisht njerëzit.
Gjyqtarja relatore, Etleva Deda, lexoi arsyetimin e saj pse gjyqi në tërësi nuk mund të zhvillohet live.
Dhe ashtu siç u vendos me legjitimimin e palëve, togat e zeza urdhëruan kamerat të dalin nga salla. Pas seancës, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat, paraqiti një sërë çështjesh me rëndësi për publikun, ku seancat janë bërë të hapura, duke shtuar se nuk mund të pritet asgjë tjetër nga gjyqtarë “të betuar te Lana”.
Kujtim Cakrani denoncoi inekzistencën e institucioneve kontrolluese, përfshirë KLGJ-në, dhe hodhi akuza të rënda për mënyrën se si po zhvillohet ky proces.
Monika Kryemadhi kërkoi vendosjen në dispozicion të akteve nga përmbajtja e aparatit celular të sekuestruar, duke ngritur pretendime se SPAK-u ka tejkaluar çdo afat, por mori përgjigje nga prokurori Sotir Kllapi, i cili tha se mund të paraqitej personalisht për t’i tërhequr në organin hetues. Ndërkohë, pas seancës, Kryemadhi tha se sistemi i drejtësisë në vend funksionon me regji, se Meta ndodhet në burg si shpagim i klasës politike, si dhe tregoi pse duhej të ishte edhe Edi Rama pjesë e këtij procesi.
Pas seancës, Ilir Meta reagoi në rrjetet sociale përkrah dy fotove, ku shkruan, ndër të tjera, se nuk kishte asnjë surprizë nga drejtësia edhe në këtë seancë.
“Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji. Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live. Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.
Madje, drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur, e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës. Loja e zvarritjes së seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, për të cilët dihet se kush i komandon. Sidoqoftë, ka një ‘koherencë’ të plotë nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot, në fakt, do të thotë të jesh terrorist. Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar”.
Në seancën e parë në themel, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho i qëndruan kërkesës për gjykim të shkurtuar, ndërsa Fatime Kryemadhi nuk ishte e pranishme dhe avokatja e zgjedhur prej saj kërkoi kohë për të dalë në një qëndrim, duke bërë që seanca të shtyhet për më 11 maj, në orën 12:00.