Lajm befasues! Anthony Joshua rikthehet në ring më 25 korrik, duel në Riad ndaj shqiptarit Kristian Prenga
Ish-kampioni botëror i peshave të rënda, Anthony Joshua, do të rikthehet në ring më 25 korrik, në Riad të Arabisë Saudite, ku do të përballet me shqiptarin Kristian Prenga. Kjo do të jetë paraqitja e tij e parë zyrtare pas një periudhe të gjatë mungese të detyruar.
Sipas medieve britanike, rikthimi i Joshua-s vjen pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Nigeri në dhjetor, ku ai ndodhej si pasagjer. Ngjarja rezultoi tragjike, pasi dy anëtarë të ekipit të tij humbën jetën, ndërsa vetë boksieri britanik mbeti i lënduar, por arriti të mbijetonte.
Ndeshja në Riad do të shënojë rikthimin e tij në sport pas kësaj ngjarjeje të rëndë dhe pas sfidës së tij të fundit në ring ndaj Jake Paul, e zhvilluar në muajin dhjetor.
Organizatorët e eventit në Riyadh e kanë cilësuar këtë përballje si një nga ngjarjet më të rëndësishme të verës në boksin profesionist, duke sjellë përballë një emër të madh të kategorisë së rëndë dhe një prej boksierëve në ngritje.
Joshua pritet të hyjë në këtë duel me synimin për të konfirmuar rikthimin e tij në nivelin elitar, ndërsa Prenga do të kërkojë të shfrytëzojë momentin për një fitore të madhe në skenën ndërkombëtare.
Kristian Prenga është një boksier profesionist shqiptar në kategorinë e peshave të rënda, i njohur për stilin e tij agresiv dhe fuqinë e nokautit. Gjatë karrierës së tij profesionale, ai ka regjistruar një bilanc shumë pozitiv, me shumicën dërrmuese të fitoreve të arritura me nokaut, çka e ka bërë një nga emrat më premtues të boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Prenga ka ndërtuar një rekord të pastër pa humbje në nivelin profesional (pa disfatë në ring), duke u ngjitur gradualisht në evente të rëndësishme në SHBA dhe Europë.
Me një përqindje shumë të lartë të përfundimit të dueleve para kohe, ai konsiderohet një “finisher” i rrezikshëm në ring, ndërsa ndeshja ndaj Anthony Joshua pritet të jetë sfida më e madhe e karrierës së tij deri më tani.