Incidentet në derbin Tirana–Partizani, policia arreston tre tifozë pas dhunës në ‘Air Albania’
Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, i fituar 2–1 nga bardheblutë, është shoqëruar me incidente të rënda në shkallët e stadiumit ‘Air Albania’.
Gjatë ndeshjes janë regjistruar përplasje mes tifozëve, ndërprerje të përkohshme të lojës, përdorim të lëndëve piroteknike dhe dëmtime materiale në tribunat e stadiumit. Situata ka detyruar ndërhyrjen e forcave të sigurisë dhe policisë.
Pas ngjarjeve, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka arrestuar tre persona të përfshirë në incidente të ndryshme gjatë sfidës.
Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar 23-vjeçari J. L., i dyshuar se ka goditur një punonjës të sigurisë gjatë ndeshjes. Gjithashtu është ndaluar 22-vjeçari K. A., i cili dyshohet se ka hedhur lëndë piroteknike në stadium. Ndërsa 18-vjeçari G. C. akuzohet se ka dëmtuar stolat në tribunat e stadiumit.
Policia ka bërë të ditur se të tria rastet janë duke u hetuar dhe materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Ngjarjet e ndodhura kanë hedhur hije mbi një derbi që në fushë u mbyll me emocion, por jashtë saj u shoqërua me tension dhe dhunë, duke rikthyer sërish debatin mbi sigurinë në stadiumet shqiptare.