Grealish në qendër të polemikave, gjendet në gjumë mes shisheve të alkoolit në Manchester
Jack Grealish është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për paraqitjet në fushë, por për një episod që ka ngjallur shumë debat në Angli.
Sulmuesi anglez, i cili aktualisht është jashtë fushave pas një operacioni në këmbën e majtë dhe pritet të humbasë edhe FIFA World Cup 2026, është përfshirë në një ngjarje që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe mediave britanike.
Sipas raportimeve të “The Sun”, Grealish është parë në një lokal në tarracë në Manchester rreth orës 16:30, së bashku me disa miq. Megjithatë, vetëm pak kohë më vonë, situata ka marrë një kthesë të papritur: ai është parë duke fjetur në tavolinë, i rrethuar nga shishe dhe gota të boshatisura, pas një konsumi të lartë të alkoolit.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar se miqtë e tij kanë tentuar ta zgjojnë, por pa sukses, pasi gjendja e tij dukej e rënduar nga alkooli. Pamjet janë shpërndarë shpejt në rrjete sociale, duke rindezur kritikat ndaj futbollistit të Everton, i cili prej kohësh është në qendër të vëmendjes për sjellje jashtë fushe.
Vetëm pak javë më parë, Grealish kishte tentuar të qetësonte opinionin publik me një mesazh optimist, duke deklaruar se po punonte fort për t’u rikthyer më i fortë se kurrë. Por ngjarja e fundit ka sjellë sërish pikëpyetje mbi stilin e tij të jetesës dhe përkushtimin ndaj karrierës profesionale.