Gjekmarkaj dhe Topalli në takim me deputetin italian: Diskutime për integrimin, diasporën dhe shqetësimet e opozitës

Nënkryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht nënkryetar i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, bashkë me deputeten e PD, Jozefina Topalli, pritën në një takim zyrtar deputetin e Parlamentit Italian, Giulio Cesare Sottanelli, përfaqësues i partisë ‘Azione’.

Në fokus të bisedës ishte mbështetja e vazhdueshme e Italisë ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit europian, roli i diasporës shqiptare në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe shqetësimet e opozitës lidhur me zhvillimet politike dhe zgjedhore në vend.

Postimi i Gjekmarkaj:

Sot pata kënaqësinë që, së bashku me zonjën Topalli, të prisja z. Giulio Cesare Sottanelli, deputet i Parlamentit Italian prej vitit 2013 dhe përfaqësues i partisë “Azione”. E falënderuam mikun për mbështetjen e vazhdueshme që Italia dhe Parlamenti Italian i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, në veçanti në procesin e integrimit europian, si një partner i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm.

Gjatë takimit, ndaluam edhe te roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare, si asaj historike ashtu edhe asaj të re, në forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve tona. Ky kontribut ka qenë dhe mbetet një urë e fortë lidhëse, duke afruar më shumë popujt tanë në dimensione kulturore, sociale dhe ekonomike.

Gjithashtu, e njohëm z. Sottanelli me shqetësimet e opozitës shqiptare lidhur me zhvillimet politike dhe zgjedhore në vend, duke iu referuar edhe gjetjeve të raportit të OSBE-ODIHR. Diskutuam për ndalimin e liderit të opozitës, Sali Berisha, gjatë një viti elektoral, për sfidat që lidhen me pavarësinë e drejtësisë, si dhe për ngushtimin e hapësirave institucionale për opozitën në Shqipëri.