Kvaratskhelia para Bayernit: Ata janë fantastikë, por ne jemi të aftë për gjithçka
Paris Saint-Germain po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në UEFA Champions League kundër Bayernit, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia ka folur me shumë besim para kësaj sfide të madhe.
Sulmuesi gjeorgjian e ka cilësuar përballjen si “të veçantë”, duke theksuar cilësinë e madhe të skuadrës gjermane. Sipas tij, Bayerni ka lojtarë fantastikë dhe është një kundërshtar që kërkon respekt maksimal, sidomos në një fazë kaq vendimtare si gjysmëfinalja e Champions League.
Megjithatë, Kvaratskhelia është shprehur i bindur edhe për forcën e ekipit të tij: “Ne jemi të aftë të bëjmë gjithçka, i besojmë njëri-tjetrit dhe kemi një lojë kolektive shumë të fortë”, ka deklaruar ai, duke nënvizuar unitetin brenda skuadrës parisiene.
Ai ka vlerësuar gjithashtu stilin e lojës së PSG-së nën drejtimin e Luis Enrique, duke theksuar se liria në lojë është një nga pikat më të forta të ekipit. Sipas tij, kjo liri është veçanërisht e rëndësishme për lojtarët ofensivë, të cilët mund të shprehen më mirë në fushë.
Kvaratskhelia nuk ka kursyer as fjalët e mira për trajnerin spanjoll, duke u shprehur se është i lumtur që punon me të dhe se ndihet krenar për zgjedhjen e bërë për t’iu bashkuar PSG-së.
Në prag të kësaj sfide të madhe, PSG synon të tregojë edhe një herë se është gati të përballet me gjigantët e Europës, ndërsa Kvaratskhelia e mbyll mesazhin e tij me vetëbesim të lartë: “Ne jemi të aftë për gjithçka”.