Luis Enrique i hedh dorashkën e sfidës Bayernit: Nuk ka skuadër më të mirë se ne!
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka ndezur atmosferën përpara gjysmëfinales së UEFA Champions League kundër Bayernit, duke shfaqur një besim të madh te skuadra e tij. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë, tekniku spanjoll u shpreh qartë: “Nuk ka asnjë skuadër më të mirë se jona”.
Pavarësisht se PSG nuk e ka mposhtur ende Bayernin nën drejtimin e tij, me dy humbje në dy përballje europiane, Luis Enrique refuzoi të fiste për favoritë. Ai theksoi se në ndeshje të tilla gjithçka vendoset nga detajet e vogla, duke kujtuar se skuadra e tij ka kaluar kundërshtarë të fortë si Liverpooli dhe Chelsea, edhe pse nuk konsiderohej favorite.
Sa i përket formacionit, trajneri mbajti mister, madje duke bërë edhe shaka me zgjedhjen e mesfushës. Ai u shpreh se përzgjedhja mund të duket si një “llotari”, pasi të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për këtë përballje të rëndësishme. Ndërkohë, rikthimi në stërvitje i Vitinha është një lajm pozitiv për francezët.
Në aspektin taktik, Luis Enrique ishte i qartë: PSG nuk do të heqë dorë nga filozofia e saj sulmuese. Duke përmendur edhe lojtarë si Achraf Hakimi dhe Nuno Mendes, ai theksoi se ‘për të fituar duhet të sulmosh më shumë sesa të mbrohesh’.
I pyetur për statusin e klubit krahasuar me gjigantë si Real Madridi apo Bayerni, Luis Enrique u shpreh se ‘fakti që PSG ndodhet në tri gjysmëfinale radhazi flet vetë për nivelin e ekipit’.
Ambicia e parisienëve mbetet e qartë: jo vetëm të kalojnë këtë pengesë, por të shkojnë deri në fund. Për Luis Enrique-n, ‘kjo do të jetë një përballje spektakolare’, ku PSG synon të tregojë se ‘është gati për majën e Europës’.